20 milionë euro në vit për trajnime të administratës përfundojnë në “kosh”, për shkak të largimeve të padrejta nga puna

Ekonomi

Milionat e hedhura nga ndërkombëtarët për të trajnuar administratën publike, nuk mjaftojnë për të mbajtur një vend pune. Largimet e padrejta nga puna janë shkaku kryesor që nëpunësit publikë në vendin tonë vijojnë të kenë një performancë të dobët, duke krijuar institucione edhe më të dobëta. Mesatarisht çdo vit shpenzohet 20 milionë euro për trajnime, thuajse dy herë më shumë sesa fondi i ndihmës sociale.

Konkretisht, në Avokaturën e Shtetit dhe në Kontrollin e Lartë të Shtetit përqindja e punonjësve të larguar brenda një viti është 21%. Shifra është e lartë edhe për Autoritetin Rrugor Shqiptar (14%) dhe Ministrinë e Turizmit (13.7%). Të gjitha këto institucione kanë patur ndryshime të drejtuesve përgjatë vitit të shkuar.

Gjendje më e keqe te bashkitë

Nëse mungesa e rotacionit politik ka ndihmuar në stabilizimin e largimeve të padrejta në administratën qendrore, situata në pushtetin vendor shihet ende si problematike.

“Mbetet problem serioz. Pse ndodh kjo? Pasi i tërë sistemi ynë është shumë i politizuar. Politika është e pranishme me ndërhyrjet e saj kudo. Dhe aty ku nuk duhet, largohen nga puna specialistë me statusin e shërbimit civil dhe me kontratë me Kod Pune”, – deklaron Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

Sipas tij, aktualisht 12% e borxhit prej 6.6 miliardë lekësh, që kanë grumbulluar bashkitë, i përket gjyqeve për largim të padrejtë nga puna. Partnerët ndërkombëtarë dhe OJF-të, sipas tij, shpenzojnë për të trajnuar stafet vendore, në një kohë kur bashkitë nuk investojnë nga fondet e tyre në burimet njerëzore. Largimi i atyre pak që trajnohen dhe atyre me eksperiencë të gjatë pune, sipas Haxhimalit, ka krijuar impakt edhe te shërbimet që marrin qytetarët.

“Është dëm i madh në shumë aspekte. Humbet shërbimi sasior dhe cilësor ndaj qytetarit, humbet memoria institucionale, bie efektiviteti i shërbimeve, krijohet një kulturë mosbesimi nga punëdhënësi dhe reputacioni i bashkisë bie“, – deklaron ai.

Pagat e ulëta

Një tjetër fushë e shumë-financuar për trajnime është ajo e rendit. Nga Policia e Shtetit, te njësi të veçanta, krahas kurseve që ofrohen në Akademinë e Sigurisë, kryhen edhe shumë trajnime të tjera, si programet PAMECA, programe të veçanta për antiterrorin, luftën ndaj krimit financiar etj. Nëse shumë institucione vuajnë sot nga shkarkimet e padrejta, për kreun e Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta, problemi i largimeve nga policia lidhet me një faktor tjetër: pagën.

“Vitet e fundit mund të them që është stabilizuar pjesa e shkarkimeve, por tani kemi një tjetër problem me largimet vullnetare. Kjo ka të bëjë në mënyrë kryesore me pagën, por edhe me kushtet e punës. Edhe atëherë kur iu takon me ligj, nuk jepen shpërblimet për punën jashtë orarit. Ato nëndeklarohen, pasi nuk lejohet më shumë se 200 orë punë shtesë në vit, por janë nën kapacitet dhe ndodh të bëjnë 45-50 orë shtesë në muaj, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur nuk arrijnë as të mbulojnë njëri-tjetrin për pushime”, – deklaron Fishta.

Kjo, sipas tij, e ka bërë policinë jotërheqëse për të rinjtë dhe kërkon politika të tilla, si suplementi i pensionit dhe zbatimi rigoroz i kontratave të punës.

Largimet për kushte më të mira, veçanërisht për pagën, janë të zakonta edhe mes bluzave të bardha. Për profesionistë të tillë, për ekspertin Preçi, shoqëria në të vërtetë nuk humbet, kur ata kalojnë në privat, ashtu sikurse për një jurist, ekonomist etj.

“Kosto është më e madhe sesa thjesht largimet. Nëse një person i trajnuar është i kualifikuar mjaftueshëm dhe zhvendoset drejt sektorit privat, shoqëria në tërësi nuk humbet diçka të madhe. Por, një pjesë e madhe e këtyre trajnimeve kryhen në mënyrë formale, për të shpenzuar parà; modulet e trajnimeve nuk gjenden në uebfaqet e institucioneve dhe procesi nuk është konkurrues, pra nuk ka akumulim të dijeve, që mund të përdoren në ushtrimin e funksioneve të ndryshme të drejtimit të shtetit”, – argumenton Zef Preçi.

Si mund të zgjidhet situata

Për Komisionin Europian reforma në administratën publike, inkurajimi i meritokracisë në të gjitha nivelet e shërbimit civil dhe politika e pagave janë faktorë kyç në krijimin e një administrate shqiptare, të depolitizuar dhe të fortë.

Kjo situatë kërkon një politikë pagash favorizuese, pasi elementët më të mirë sot për sot thithen nga privati, pasi pagat e shtetit janë shumë larg tregut të ekspertizës”, – shprehet Soko.