Më 14 prill do të mbahet në Luksemburg konferenca e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Data është konfirmuar zyrtarisht nga Presidenca polake e BE-së. Vendimi u mor sot me konsensus të ambasadorëve të 27 shteteve anëtare të BE-së në Bruksel. Në këtë konferencë do të hapen negociatat për grup kapitullin 2 që kanë të bëjnë me tregun e brendshëm. Deri më tani vendi ynë ka hapur negociatat dhe ka nisur punën për Grup-kapitullin 1 që ka të bëjë me shtetin e të drejtës dhe Grup-kapitullin 6 për marrëdhëniet me jashtë. Gjatë vizitës së fundit në vendin tonë përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme Kaja Kallas tha se është plotësisht e mundshme që Shqipëria të jetë vend i BE-së në vitin 2030.