ZËRAT E ULQINIT
Nga NAMIK SELMANI /
Përherë
ia kam Ulqinit borxh fjalën e mbrame.
Më shumë se buqeta
që dikur mund ta vyshkë vapënxehta.
Brenda vetes
më vijnë zërat e detarëve e shushurima e valëve.
Më vijnë
zërat e luftëtarëve me plisa në bedena.
Përherë
kam brenda vargut një diell ulqinak.
Vargjet
i mbledh me rrjetat e peshkatarëve
Në liqenin e Shasit
më puth dashurisht një fllad në ballë.
I ulur në breg
Përcjell anijet
ua dhuroj
një busull të re për betejën e dallgëve.
Në rrugica
një nga një
do ndaj trëndafilë për nuset e nënat duararta
Në agime
do ia vë flamurit në pragje e në
çdo arë
Mos qofshim
pa bekimin që na japin ezane e këmbana!
Kur kokën e vëmë ne gurë a në jastëkët e bardhë.
Në Valdanos
do përqafoj krahëhapur ullinjtë e lashtë
ardhur nga larg
si besëmbajtës me vrulle krenarie
E do zgjoj
një nga një në kulla katragjyshët ulqinakë
Të ma thonë
Kodin e pashkruar të gjuhëshqipes në përtëritje.
Po të betohem për agimet ulqinakë,
Besomëni!
po të mas me pëllëmbë brigjet e shenjtërisë.,
Me mua bashkohuni!
Po të nisja një këngë që ma bën buzën flakë
Me mua këndoni!
Po të vë në zemër kurorën e lumturisë
Shikomani!
Ulqini
sofra e baladave
djep i zgjuar i ninananave
palca e gurit mes bjeshkëve
Zë i bukur i shtojzavalleve
Flamurmbajtësi i dasmave
syzgjuari i sermëtarëve
ëndërrzgjuari i antikuarëve