Kryeministri Edi Rama shkoi në zyrën e kryeparlamentarit Ilir Meta dhe për afro 100 minuta kryen një takim kokë më kokë për të folur mbi zhvillimet më të fundit politike në vend.
Mësohet se në këtë takim është
diskutuar rreth mundësisë së ndryshimeve në qeveri në javët në vijim, edhe pse kreu i qeverisë është shprehur në intervistat e tij se nuk do të ketë ndryshime në qeveri.
Takimi me Metën është përqendruar edhe në lëvizjet që kryetari i Parlamentit ka bërë ditët e fundit, konkretisht takimi i tij me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, takimi i tij në cilësinë e kreut të LSI me kryetarin e PDIU, Shpëtim Idrizi.
Po ashtu në takim është folur edhe mbi deklaratat e forta të nënkryetarit të LSI, Ylli Manjani ku i kërkonte Edi Ramës të flasë publikisht mbi hetimin ndëkrombëtar të CEZ dhe akuzat për përfshirjen e Ilir Metës.
Votimi i fundit në Kuvend për përfshirjen me procedurë të përshpejtuar të projektligjit që do të lejonte një hetim ndërkombëtar për “çështjen CEZ” tregoi se brenda koalicionit qeverisës u rivendos një lloj paqeje, pas deklaratave të forta të ditëve të fundit.
Kryeministri ishte kujdesur që takimi të mos mbetej jashtë vëmendjes mediatike. Kamerat e televizioneve ishin lajmëruar për vajtjen e kreut të qeverisë në zyrën e Ilir Metës, madje dhe në këmbë.
Kamerat e shoqëruan Ramën gjatë gjithë rrugëtimit të tij, ndërsa në përfundim të takimit, pas një orë e gjysmë, interesi i mediave ishte maksimal për të marrë një koment të Kryeministrit Rama pas këtij takimi. Por, përsëri i qetë dhe i qeshur, përsëri me duar në xhepa, Rama nuk dha asnjë koment.