Deputeti Ben Blushi si gjithnjë ka lëshuar përsëri me të drejtë akuza në drejtim të qeverisë Rama, që në 2 vjet qeverisje ka përkeqësuar në ekstrem jetën e të varfërve në vend duke mos sjellë asgjë të re.
“Në dy vjet qeverisje kemi arritur me sukses ta pastrojmë Shqipërinë nga të varfrit; po ua bëjmë jetën më të vështirë se ç’e kishin imagjinuar. A është sot jeta e një të varfri më e mirë sot, a mund ta paguajë dot energjinë e shtrenjtuar, a është më e lirë kostoja e shëndetësinë, arsimit, a i janë shtuar rrugët, investimet, a është kostoja e qeverisë më e ulët për të, a mund të gjejë punë një i varfër? Jeta e një të varfri po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Kjo shumica jonë i ka tradhtuar të varfrit. Kjo qeveri, për fat të keq, ka dhe një problem shtesë, ja shton koston të varfërve; nuk është modeste. Ka shumë vende në botë që dështojë me zbutjen e varfërisë, por ama e dinë se varfëria në radhë të parë luftohet me modesti, me njerëzillëk. Unë jam nga ata që beson se Shqipëria nuk po shkon në drejtimin e duhur. Varfëria luftohet me modesti. Kësaj qeverie nuk i mungojnë paratë, i mungojnë 2 gjëra që vlejnë më shumë: idetë dhe modestia.
Qeveria nuk e njeh varfërinë dhe nuk e di ç’është. Çfarë ka ndryshuar për dy vjet në Shqipëri?
Ka ndryshuar modeli ekonomik? E kam të vështirë ta vërtetoj këtë. Deri në 2013 modeli ekonomik në Shqipëri ishte kapitalizëm zoologjik, i forti merrte pjesën më të madhe. A është kapitalizmi i sotëm më human, më i drejtë? Jo, nuk është. Ky i yni është kapitalizëm blegtoral, fiton delja më e bindur. Kapitalizmi ynë nuk kafshon, blegërin. S’do ishte keq për zgjedhje të parakohshme. Por ky njeriu këtu prapa që nuk bën zgjedhje në parti, nuk mund të bëj zgjedhje të parakohshme”, tha Blushi.