Berisha: Ai që mendon se unë do të tërhiqem, sheh veshin e tij në pasqyrë, kurrën e kurrës

Politika

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka marrë asnjë përgjegjësi edhe sot për humbjen në zgjedhjet lokale, përfshirë edhe bastionin historik të demokratëve, Shkodrën. Berisha tha se kushdo që mendon se ai mund të tërhiqet para krimit të organizuar, që sipas tij ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, “sheh veshin e tij në pasqyrë!’.

Sipas Berishës në zgjedhjet lokale të së dielës janë hedhur miliona euro nga qeveria në pushtet, ndërkohë që ish-kryeministri beson se do të jenë vetë shkodranët ata që do të refuzojnë që të drejtohen nga Benet Beci.

“Shkodra votoi nën pushim të vërtetë, të gjitha pollet e kundërshtarëve tanë, por edhe tonat e nxirrnin Bardh Spahianë 14-16 pikë përpara. Nëse mendon ti apo dikush tjetër se Sali Berisha tërhiqet para krimit, ai sheh veshin e tij në pasqyrë. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Në Shkodër u përdorën dhjetëra miliona euro, dhe jam i bindur se qytetarët e Shkodrës pushtetin e krimit nuk do ta pranojnë, kjo është përgjigja jonë për ju”, tha Berisha.

Më herët Berisha tha se raporti i OSBE- OHDIR e tha qartë se zgjedhjet në Shqipëri kishin dhjetëra problematika dhe se sipas tij u shtrembërua vota e shqiptarëve.

Unë vlerësoj raportin e OSBE/OHDIR, të autoriteteve lokale dhe rajonale, deklaratën e përfaqësuesve të PE, të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan në presion dhe jo të lirë. Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve, Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, vullnetin e shqiptarëve. ndryshoi rezultatin e votimit.

Raporti paraprak ndonëse nuk është përfundimtar, vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve, duke nisur nga makineria shtetërore elektorale si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si akt që krijon pabarazinë më të madhe në procesin zgjedhor. Aty nënvizohet vjedhja e votave apo atentat mafioze në qendrat e votimit.

Përpjekjet për të shkëputur ndonjë gjysmë fraze nga përfaqësuesit e nderuar të institucioneve më prestigjioze të OSBE/ODHIR-it, apo të PE, apo KiE, dështuan. Siç e patë vetë, ata refuzuan që të nxirrnin nga goja çdo cilësor që u kërkua dhe u qëmtua nga mediat e Edi Ramës për ta tundur si flamur të këtyre zgjedhjeve më të manipuluara, më të rrënuarat në historinë e Shqipërisë. Në këtë kontekst populli opozitar, pa si në dritën e diellit përpjekjen e narkoshtetit për të asgjësuar opozitën e vërtetë si pjesëmarrëse në zgjedhje.

Rama i tmerruar nga emri i Sali Berishës, nuk lejoi regjistrimin e tij në listë. Një aleancë krimi në nivel politik dhe nëntokësor terreni, u demonstrua si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit. Trinomi Rama-Doshi-brava ishte shëmtia më e madhe në këtë proces zgjedhor. Siç konstaton me të drejtë raporti i vëzhguesve, blerja e votës, ishte akt masiv dhe i shëmtuar. Mungesa e komisionerëve, dhe numëruesve të opozitës së vërtetë, ishte një akt tjetër pabarazie.

Dhuna dhe terrori shkoi deri në pengmarrje të tyre. Këto janë konkluzione kryesore; e para Rama është armik i egër i përbetuar i votës së shqiptarëve. Janë një apel, një kushtrim për mbarë popullin opozitar për çdo shqiptar që beson se barazia para ligjit, liritë të drejtat e qytetarit, funksionojnë vetëm në rastin se shoqëria voton e lirë.”, tha Berisha.