Ç’po ndodh me sistemin politik shqiptar?

Kryesore Opinion

albani-rama-politika

Alban DACI / Dy partitë e mëdha para zgjedhjeve të 2013 dukeshin sikur ishin të orientuara drejt bipolarizmit dhe kjo u pa qartë nga Kodi Zgjedhor që prodhuan si dhe nga tentativat e tyre për t’i zhdukur nga skena politike partitë e vogla duke i nisur nga LSI.

Sot, kjo situatë duket sikur ka ndryshuar dhe sistemi de facto nuk është bipolar, por është një anarki perfekte. Edi Rama me këshilltar të gabuar, me servil të pangopur pranë tij, nuk ka prodhuar konsensus ose zgjerim të PS, por ka prodhuar kundërshtar të cilët në vazhdim kanë prodhuar e do të prodhojnë subjekte të reja politike.

Edi Rama, kam përshtypjen ndodhet në një situatë shumë të vështirë politike personale, sepse rrethanat e tij janë të ngjashme me atë të Enver Hoxhës në fund të viteve ’70 dhe fillimi i viteve ’80.

Njerëzit që i qëndrojnë pranë Ramës, sic duket qartë nuk janë të interesuar për të ardhmen e përbashkët të PS, për sfidat elektorale të saj, ata janë të siguruar të mbrojnë vetëm interesat e tyre të ngushta personale e nëse këto interesa cenohen, janë të gatshëm të çojnë në djall edhe vetë Partinë.

Për të ruajtur një vend në sofrën e pushtetit dhe të privilegjeve, godasin çdo anëtarë qoftë edhe deputet që kritikon apo u kërcënon pushtetin e privilegjet. Rama i larguar nga realiteti, ku ndodhet PS dhe i kapur ngushtë nga rrethi vicioz i të pangopurve, po prodhon vazhdimisht armiq apo kundërshtar brenda Partisë, të cilët sipas këshillave që merr nga të pangopurit, i ka përjashtuar dhe do i përjashtojë, pa analizuar efektet e këtyre aksioneve arbitrare.

Edi Ramës duket se i ka humbur dëshira për konsensus dhe durimi për të dëgjuar mendimin ndryshe. Jo çdo mendim ndryshe është armiqësor dhe ka për qëllim të rrënojë Partinë apo aspiratën e Ramës për një mandat të dytë. Mandati i dytë i Ramës, së pari duhet t’i shërbej po të përfunduar projektet dhe vizionet që nuk mundi gjatë të parit. Së dyti, për të plotësuar reformat dhe statusin e vendit kandidat dhe së treti për socialistët e vërtetë dhe gjithë shqiptarët. Mandati i dytë i Ramës nuk duhet të jetë vetëm në shërbim të rrethit vicioz për të absolitizuar pushtetin dhe maksimalizuar interesat personale.

Rama, me mungesën e tij të theksuar të natyrës konsensuale të lidershipit ka ndryshuar sistemin politik shqiptar duke krijuar dhe mundësuar subjekte të reja politike që krijojnë një panoramë të një anarkie perfekte. Të gjitha subjektet  e reja politike që po krijohen janë të kundërshtarëve personal të Ramës e këta do të dëmtojnë rëndë elektoratin e saj në zgjedhjet e 2017.