Kur hezitimi ishte leje, për të vrarë

Opinion

Azem PARLLAKU  /  Libri me titullin shumë domethënës “Kosova dhe Ushtria Çlirimtare”, i gjeneralit Kudusi Lama, përmban një lëndë të pasur në shumë aspekte të historisë dhe aktualitetit, ndaj dhe shërben si një qasje interesante, ku inspirimet janë marrë nga ngjarjet në Kosovën e viteve 1998-1999, ngjarje të cilat autori i ka përjetuar aty në vijën e parë të atij konflikti ushtarako-politik.

Ky libër nuk është gjë tjetër veçse një aureolë pikëvështrimesh të qëmtuara mbi të vërtetat historike dhe mbi terrenin e një Lufte Çlirimtare në kohët moderne në këtë pjesë të Europës. Libri hapet me një parathënie brilante të mjekut dhe politikanit Profesor Doktor Sabit Brokaj, ndërsa në fund qëndron “si qershi mbi tortë”, një mbyllje e detyruar që gjeneral Lama, e ka bërë në formën e debatit publik me gjeneralin Wesley K. Clark, komandant Suprem i NATO-s, në periudhën e luftës në Kosovë, në lidhje me konsideratat rreth librit të gjeneralit Clark “Të bësh luftë moderne”.

Materialet që prezantohen në këtë libër janë vështrime të historike, komente, kujtime, konsiderata, e realitete, ku autori ruan ekuilibrin e tij politik, ushtarak, moral dhe intelektual, duke na dhënë mundësinë që ta kuptojmë dhe analizojmë rolin e madh Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në atë periudhë të zhvillimeve komplekse politike, ushtarake e diplomatike në të cilat ishin involvuar faktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Veç kësaj përmes këtij libri autori Kudusi Lama, ndërton një komunikim të veçantë me lexuesin e tij, duke i dhënë mundësi atij të shohë në mënyrë të plotë idetë dhe filozofinë e tij. Profili i lartë si ushtarak, po kaq dhe intelekti i gjeneralit Lama, e kanë ndihmuar atë, për të pasuruar bibliotekën tonë me një libër të çmuar historik, nga ku referencat do të jenë përherë nxitje për shkrime dëshmuese të bashkëkohësve e studiuesve të tjerë, po kaq dhe interpretime dhe polemika të vlefshme.

 

Nëpërmjet këtij libri autori ka bërë një përpjekje dinjitoze, për të na dhënë të plota informacionet e duhura, mbi zhvillimin e ngjarjeve kryesisht të pragluftës, të luftës, e pasluftës në Kosovë. Analizat e gjeneralit Lama për këto ngjarje, si dhe për ato të perspektivës, janë me shumë vlerë dhe impresionuese për çdo shqiptar, qoftë ky ushtarak, qoftë politikan, apo qytetar ndryshe. Këto analiza paraqiten thellësisht në përmbajtje dhe fakte, po kështu vërehet dhe qëndrimi kritik dhe këshillues i autorit, i cili në qendër të universit të vet, ka vendosur idealet tona kombëtare. Përmes plazmimit të ngjarjeve dhe karaktereve, del në pah individualiteti i papërsëritshëm shqiptar. Pikërisht kështu vjen e ravijëzohet para lexuesit teknologjia e plazmimit siç e ka thënë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare se; “Ideja e lirisë sa ç’është e natyrshme te popujt, aq përbën një katastrofë me mungesën e saj”.

Në të gjithë analizën e tij autorin e ka shqetësuar dukshëm një fakt, që gjithsesi ka qenë e vërteta për t’u rrëfyer si e tillë. Ka shumë gjasë që gjeneral Lama i cili është ndodhur në qendrën dhe në vijën e parë të ngjarjeve ushtarako-politike gjatë konfliktit në Kosovë, të ketë patur parasysh një frazë të njohur të Uinston Çërçillit, për popujt që prodhonin më shumë se ç’duhet histori, dëshmonte në mos frikë të fshehtë, një bezdisje të herëpashershme prej historisë. Dhe këtë e ka bërë për dy arsye; E para siç vërehet në këtë libër, ka të bëjë me atë çfarë historiografia serbe, ka trajtuar dhe e trajton Kosovën. Për këtë nëpërmjet këtij libri na vijnë fakte të cilat nuk janë ditur siç duhet deri më sot, e siç duket historianët serb kanë prodhuar aq shumë histori dhe të pavërteta, saqë në fundshekullin e XX, mbetën të befasuar qytetërimet botërore të zhvilluara. Ndërsa e dyta ka të bëjë me shumë të pavërteta, të cilat promovohen nga pseudoprotagonistë të konfliktit ushtarako-politik në Kosovë. Mjafton t’u hedhësh një sy të përditshmeve të printuara të Prishtinës dhe Tiranës, e të gjesh plot histori të shitura nga “trimëritë pas lufte”, komandantët pa ushtarë, të cilët nuk po i shërbejnë aspak të vërtetave, e fatkeqësisht shumë prej ngjarjeve të rrëfyera janë shndërruar në ngjarje të vërteta. Me të drejtë, një polemizues mund dhe të shtrojë pyetjen; Përse gjeneral Lama, e ka glorifikuar kaq shumë rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?! Përgjigjen natyrshëm e gjen përsëri në analizë të fakteve që gjenerali, ka shkruar në librin e tij. Sigurisht që rreth rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për lirinë dhe pavarësinë e kësaj cope Shqipërie, janë bërë dhe do të bëhen shumë komente, qoftë nga shqiptarët e Shqipërisë natyrale, qoftë dhe nga të asaj shtetërore. Në thelb sërish mbetet e vërteta të cilën gjeneral Lama e ka trajtuar nga shumë plane dhe këndvështrime, ku mbetet i pandryshuar fakti se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e kreu detyrën e saj, duke mbetur kështu përjetësisht krenare për veprën madhore. Ajo e realizoi misionin për të cilin u krijua. E lindur në një terren të pushtuar, ajo erdhi si një freski kombëtare, për të bërë protestën e madhe shqiptare për liri. Në këndvështrimin e tij, autori e ka lidhur ngushtësisht rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me frymëzimin dhe përvojën e patriotëve tëtillë si: Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Haxhi Zeka, Idriz Seferi, Azem Galica, Shaban Polluzha, Jusuf Gërvalla, Adem Jashari, etj. Të gjithë këta bashkëpatriotë, kanë promovuar një strategji politiko-ushtarake për çlirimin e Kosovës, teksa Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ndërgjegjësoi dukshëm popullin e Kosovës për një luftë të armatosur kundër pushtimit serb, si e vetmja rrugë për të fituar lirinë. Gjithashtu një rol të rëndësishëm sipas autorit ka dhe fuqia magjike e fjalës, mirëkuptimit dhe dialogut. Se sa e rëndësishme është kjo mjafton që autori na kujton se; “Fjala krijoi njeriun, fjala ndërtoi shoqërinë njerëzore, fjala krijoi zhvillimin, fjala krijoi kulturën, fjala krijoi historinë, pra fjala është arma më e fuqishme e shoqërisë njerëzore, e në Kosovë fjala dhe dialogu duhet të jetë në plan të parë”. Siç vëren pikëshikimi i analizave dhe ngjarjeve, gjeneral Lama e ka parë gjithçka në fokusin e një ushtaraku profesionist, e vështrimit të tij nuk i ka shpëtuar asgjë. Ai ka patur mundësinë të shohë dhe vlerësojë qëndrimet e secilit protagonist të fushëbetejës, ndaj dhe shkruan me dashuri dhe dhembshuri emocionuese për të gjithë ata djem dhe vajza, që luftuan për një kauzë, siç ishte çlirimi i Kosovës. “Ishin këta djem dhe vajza që ngritën dinjitetin e popullit, ishin ata të rënë që çimentuan themelet e pavarësisë, e populli që jeton lirinë e ka obligim t’u njohë lavdinë”, kështu citon autori më shumë se njëherë. Dhe të gjithë këtë e shkruan, jo për të bërë të pazëvendësueshëm rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por për të na kujtuar se idetë mund të jenë të ndryshme, pikëpamjet mund të jenë shumëngjyrëshe, e se programet politike janë po të ndryshme, ndërsa heronjtë dhe ideali i tyre janë të patjetërsueshëm.

Misioni historik kërkonte bartësit e tij, e ku veç tjetër se djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlir- imtare të Kosovës, do të shprehej gatishmëria për sakrificë. Filozofi gjerman Schopenhauer na kujton se; “Kush e shikon gjithçka në një dritë të errët dhe është i përgatitur për më të keqen, ai gabon më rrallë në para- shikimet e veta, sesa njeriu që e shikon jetën si fushë me lule në ngjyrë trëndafili”. E sollëm në vëmendje filozofin Schopenhauer, për të kujtuar sesa e rëndësishme ishte sipërmarrja e politikës aktive e cila me kalimin e kohës u kthye në rezistencë të armatosur, në raport me politikën paqësore, e cila edhe pse kishte qëllim të mirë nuk mundi dot të jetë aktive sa ç’duhej.

Në parathënie të këtij libri politikani Sabit Brokaj na kujton një thënie të Frederikut të Madh; se “Politika pa armë është si muzika pa vegla”, ç’ka u bë me dije se mossuksesi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës në mënyrë paqësore, solli si domosdoshmëri një proçes të vrullshëm për çlirimin e saj me fillimin e veprimeve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në aspektin ushtarak gjeneral Lama evidenton rolin mbrojtës të kësaj ushtrie, përballë të cilës ishte një tjetër ushtri pushtuese me forca të shumta ushtarako-policore. Në dritën e fakteve, të vërtetave të patjetërsueshme autori shpjegon kohezionin përbrenda ushtrisë në fjalë, midis asaj dhe faktorit politik, midis të dyve dhe rolit mbarëshqiptar, midis këtij të fundit dhe politikës ndërkombëtare, ku kjo e fundit ka një rol të padiskutueshëm me angazhimin e NATO-s, për zgjidhjen e konfliktit të armatosur në Kosovë.

Është mjaft i guximshëm dhe domethënës fakti, që në këtë libër merren në analizë pothuaj të gjithë faktorët me ndikim në çështje të tilla të mëdha. Historia, diplomacia, popullsia, ekonomia, politika, ushtria, kultura, e deri tek konspiracioni shqyrtohen në mënyrë bindëse dhe rrjedhshëm në kohë e hapësirë. Që në titull, është e kuptueshme se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kuotohet në lartësinë e vlerave, si pararojë e ringritjes kombëtare. E në optikën e gjeneralit, ishte kjo ushtri ajo që e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës, por dhe të shumë vlera të shqiptarëve që Europa ose nuk i dinte, ose i kishte harruar qëllimisht. Në atë kohë drejtuesi i njësisë më të madhe ushtarake e cila kishte nën përgjegjësi zonën verilindore të vendit, gjeneral Lama siç dhe e ka shprehur, ka patur fatin ta njohë dhe të bashkëpunojë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që prej lindjes së saj, në të gjitha etapat deri në futjen fitimtare në Prishtinë dhe qytetet tjera të Kosovës. Autori na jep një tablo të qartë për të gjitha njësitë e kësaj force ushtarake, ndërkohë portretizon në karakteristika dhe rol të gjithë drejtuesit ushtarakë dhe politik të saj. Ideatorët, politikanët, organizatorët, drejtuesit ushtarakë, dallohen jo vetëm si patriotë të përkushtuar, por dhe vizionarë, të disiplinuar dhe të përkushtuar për të përmbushur misionin fisnik të marrë përsipër. Se sa e suksesshme rezultoi një gjë e tillë, autori e përshkruan në të gjitha etapat e zhvillimit të betejave. Pjekuria për të organizuar një veprimtari të tillë, ku parashikoheshin në detaje të hollësishme detyrat e luftës dhe mbështetjes së popullsisë, koordinimi me aleatët, dëshmon qartësisht pjekurinë politiko-ushtarake të protagonistëve të kohës në fjalë. Shumë nga përcaktimet që gjenerali ka bërë në librin e tij, janë dëshmuar si të vërteta të thëna nga një profil idealist si i atij. Kështu ai shpesh e ngre zërin kritik ndaj politikës, ndaj penguesve të luftës, madje duke u bërë dhe zë kritik për analizat e gjeneralit Clark në librin e këtij të fundit “Të bësh luftë moderne”.

Në libër ka shumë të dhëna për takime, biseda e shqetësime si me faktorët politik të Kosovës dhe Shqipërisë, ashtu dhe me drejtuesit ushtarakë. Thënë ndryshe në sitën e gjeneralit kanë kaluar militarët dhe pacifistët, të vendosurit dhe ikanakët, të ndershmit dhe të korruptuarit, të kamurit dhe të varfrit. Shumë nga këto ballafaqime vendosin përballë njëri-tjetrit eksponentë të politikës së djeshme dhe të sotshme të Kosovës. Edhe pse në anë me luftëtarët gjenerali i kritikon ata në lidhje me gabimet që ata bënë kryesisht pas luftës, por këta janë disa individë siç i përmend ai, të cilët nuk e zhbëjnë dot imazhin pozitiv që ka Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Thirrja e Klintonit se; “Hezitimi është leje për të vrarë”, i dha fund dilemës për të ndërhyrë në Kosovë. Duke ju referuar rolit të NATO-s, gjenerali na kujton që lufta çlirimtare ishte ajo e cila u bë shtysë për ndërhyrjen ushtarake nga ana e Aleancës më të fuqishme Botërore. Kjo e vërtetë solli dhe ndryshimet e mëdha në marrëdhëniet e Europës dhe të organizmave ndërkombëtare, me kombin shqiptar në tërësi dhe Kosovën në veçanti. Shtetet e Bashkuara të Amerikës evidentohen si faktori vendimtar për aktivizimin luftarak dhe suksesin e NATO-s në Kosovë. Amerikanët e çmojnë vlerën e jetës, e dinë mirë se çdo njeri ka të drejtë të jetë i lirë.

Duke qenë si i tillë amerikan, presidenti Klinton e kishte kuptuar sakrificën sublime që kishin ndërmarrë djemtë dhe vajzat luftëtarë të Kosovës në emër të jetës në liri, ndaj nuk hezitoi. Në tekstet sumere me shkrimin kuneiform rrëfehet një legjendë. Adapu (modelit të nje- riut) iu dha mundësia të bëhej i pavdekshëm, thjesht të shijonte “Bukën e Jetës”. Ndërsa ai e refuzoi atë, e u kthye në tokë si prifti pagan me diturinë më të madhe për të rrëfyer. Njëtrajtshëm në mitin biblik Adapu ngjason me Noen, por po në këtë mitologji hiqen paralele të (modelit të njeriut) dhe Adamit të Biblës”. Kështu pra si një njeri me frymëzim të hyjnishëm, nëpërmjet këtij libri Kudusi Lama ka treguar se di të bëjë saktësisht analiza shumëpamjesh, ka treguar që është një idealist dhe nacionalist, ka treguar se e vërteta dhe mendimi kritik kanë vlera të jashtëzakonshme.

Të gjithë përbërësit e kësaj sipërmarrje kanë frymë aktuale, kanë origjinalitet, kanë humanizëm, ndërsa autori ka aftësinë për t’i dhënë në dorë lexuesit një të tillë libër me vlera ku historia rroket nga një frymë e tillë e fuqishme.