Focus News //Kryetari i LSI-së dhe njëherësh kryetar i Kuvendit, Ilir Meta u takua sot me themeluesin dhe drejtuesin e Lëvizjes ZGJIDHJA në PS, Koço Kokëdhima. Gjatë takimit që zgjati 45 minuta u diskutua për situatën politike, për tejkakimin e krizës politike në vend dhe për gjetjen e rrugëzgjidhjeve pas situatës së krijuar nga protesta opozitës që ka nisur prej 18 shkurtit dhe nga bllokimi i parlamentit. Temë diskutimi ishte edhe ngecja e reformës zgjedhore, ndërsa partitë po përgatiten për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. LSI-ja e drejtuar nga z.Meta është regjistruar në KQZ për zgjedhjet parlamentare, por ka deklaruar zyrtarisht se është e pamendueshme që në vitin 2017 të ketë zgjedhje pa opozitën. Ndërsa kreu i lëvizjes ZGJIDHJA, Kokëdhima, ka deklaruar se pa opozitën nuk shkohet në zgjedhje, por në luftë, duke i bërë thirrje shumicës së majtë dhe opozitës së djathtë që të ulen në bisedime dhe të zgjidhin krizën. Që kur nisi kriza politike me protestën e opozitës në “çadrën e lirisë” në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit”, z.Kokëdhima ka takuar disa krerë partish, si atë të PAA-së, Agron Duka apo atë të PSD-së, Skënder Gjinushi, për të shkëmbyer pikëpamje rreth situatës politike dhe kapërcimit të krizës.