Trump: Sulmi me armë kimike në Siri, një fyerje për njerëzimin

Bota

Shtëpia e Bardhë tha se “është e bindur” se Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, qëndron prapa sulmit të dyshuar kimik, i cili vrau së paku 58 veta në veriperëndim të Sirisë. “Sulmi i sotëm kimik në Siri kundër njerëzve të pafajshëm, përfshirë gra dhe fëmijë, është i dënueshëm dhe nuk mund të injorohet nga bota e qytetëruar. Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, mohon se përdor armë kimike dhe akuzon rebelët për përdorimin e tyre. Ndërkaq SHBA-ja ka vepruar në mënyrë të menjëhershme, duke paraqitur një rezolutë kundër këtyre akteve  dhe bën fajtore qeverinë e Assad.

Qëndrimi i Trump

Presidenti Donald Trump tha se sulmi me armë kimike në Siri ishte “një fyerje për njerëzimin”. Ai i bëri komentet ndërsa ulej për bisedime në Shtëpinë e Bardhë me mbretin e Jordanisë, Abdullah. I pyetur nga gazetarët nëse SHBA do të ndërmerrnin veprime, ai tha: “Këtë do ta shihni”, pa dhënë hollësi të tjera. Një ditë më parë Trump bëri një deklaratë me shkrim ku e denonconte sulmin si “akt i dënueshëm”, që “nuk mund të injorohej nga bota e qytetëruar”. Në një konferencë të përbashkët shtypi me Mbretin Abdullah, Trump tha se qëndrimi i tij rreth Presidentit të Sirisë Bashar al-Assad dhe Sirisë ka “ndryshuar shumë”. Ai përsëriti akuzat se administrata Obama bëri një “kërcënim bosh” për qeverinë e Asadit, kur tha se përdorimi i armëve kimike do të rezultonte në pasoja. Presidenti Trump tha se “nuk ishte një nga ditët tona më të mira për ne si vend”, kur administrata e mëparshme dështoi të vepronte. Ai pohoi se tani “këtë përgjegjësi e kam unë” dhe se “unë do ta kryejë atë me krenari”. Presidenti amerikan, Donald Trump, nëpërmjet një deklarate, tha se sulmi ishte “i neveritshëm dhe nuk mund të injorohet”. Ekspertët për krime të luftës të Kombeve të Bashkuara e kanë hapur hetimin për sulmin e dyshuar kimik në Idlib të Sirisë, nga i cili, të martën, u vranë së paku 72 vetë. Një komision hetimor për Sirinë i Kombeve të Bashkuara tha se e ka hapur hetimin nëpërmjet një deklarate me të cilën dënohet sulmi.

Përplasja në OKB

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia bënë deklarata të kundërta të mërkurën rreth sulmit me armë kimike në Siri që vrau 72 njerëz. Administrata e presidentit Trump u qëndroi akuzave të saj, duke fajësuar forcat e presidentit sirian Bashar Asad me përgjegjësi për sulmin. Rusia, aleati më i fuqishëm i Assadit paraqiti një version të ndryshëm. Zyrtarët ushtarakë të Rusisë këmbëngulën se lënda kimike u shpërnda kur avionët luftarakë sirianë bombarduan një punishte, në të cilën rebelët po prodhonin armë kimike. Në Kombet e Bashkuara, ambasadorja e presidentit Donald Trump, Nikky Haley, kërcënoi se Shtetet e Bashkuara do të ndërmerrnin veprime të njëanshme nëse bota nuk vepron. “Kur Kombet e Bashkuara vazhdimisht dështojnë në detyrën e tyre për të vepruar kolektivisht, ka raste në jetën e shteteve, kur detyrohemi të ndërmarrim vetë veprime,” deklaroi ambasadorja Haley. Ajo foli në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit, ku u debatuar rreth një rezolute që dënonte përdorimin e armëve kimike në Siri. Rusia, e cila ka të drejtën e vetos, është shprehur kundër rezolutës.

Në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova e përqendroi vëmendjen diku tjetër: “Është e nevojshme të kërkohet që kryengritësit të lejojnë qasje të plotë për të studiuar zonën dhe për të mbledhë informatat e nevojshme,” tha ajo. Udhëheqësit dhe zyrtarët në vendet e tjera, duke përfshirë Britaninë dhe Izraelin, u bashkuan me SHBA-në duke thënë se përgjegjësia binte mbi forcat e Asadit.

Takimi me Mbretin Abdullah në Uashington

Axhenda e takimit në Shtëpinë e Bardhë me mbretin Abdullah përfshinte, veç sulmit me armë kimike në Siri edhe diskutime për mundësinë e rigjallërimit të bisedimeve izraelito-palestineze të paqes. Monarku jordanez dhe presidenti i ri amerikan patën një takim të shkurtër gjatë mëngjesit të lutjes në Uashington në muajin shkurt, por bisedimet e sotme mes tyre pritet të jenë më thelbësore. Përveç diskutimeve private, dy udhëheqësit do të kenë një konferencë të përbashkët shtypi dhe një drekë pune. Mbreti i Jordanisë, i cili luan rolin e një emisari të botës arabe, sjell mesazhin e një interesimi të ri për një marrëveshje paqeje me Izraelin, që do të përfshinte njohjen e shtetit hebre nga vendet arabe dhe myslimane, në shkëmbim të krijimit të një shteti të ri palestinez në Bregun Perëndimor, Gazë dhe Jeruzalemin Lindor. Në një takim të nivelit të lartë javën e kaluar, udhëheqësit arabë ripërtërinë ofertën që i kishin bërë fillimisht Izraelit në vitin 2002, por Izraeli ka refuzuar të tërhiqet nga vendet e pushtuara në Luftën gjashtëditore të vitit 1967.