Vrasja e Artan Cukut, policia 3 milionë lekë shpërblim për çdo informacion

Aktualitet

Policia e Shtetit ka vendosur 3 milion lekë të reja shpërblim për çdo informacion të vlefshëm që do të çonte në kapjen e atentatorëve të ish-drejtorit të policisë së Vlorës, Artan Cuku.

“Policia e Tiranës, duke garantuar anonimatin e plotë, ka vënë në dizpozicion të kujtdo që ofron informacion të vlefshëm për zbardhjen e kësaj ngjarje shumën prej 3 milionë lekë të reja si shpërblim, në numrin e telefonit ‎0694110299”, njofton policia e Tiranës .

Policia ka shoqëruar deri tani 11 persona që janë pyetur për rrethanat e krimit. Duke analizuar veprimet e para, në funksion të hetimit janë ngritur dhe po verifikohen të gjitha versionet për të përcaktuar motivin e kryerjes së kësaj ngjarje.

Përsa i përket vrasjes, grupi hetimor është duke punuar për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, për kërkimin dhe marrjen e deklarimeve personave që kanë dijeni rreth ngjarjes, fiksimin dhe sekuestrimin e provave materiale, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët për kryerjen e kësaj vepre të rëndë penale.

“Me marrjen dijeni për ngjarjen është krijuar grupi i posaçëm hetimor, me specialistët më të mirë të Drejtorisë Vendore të Tiranës dhe Drejtorisë e Përgjithshme kundër Krimit të Organizuar, i cili kryesohet nga Prokurorë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda”.

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se janë përdorur dy armë zjarri, pasi janë gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja arme të kalibrit 9mm dhe 5 gëzhoja të kalibrit 7.65 mm. Ngjarja e rëndë u regjistrua në orën 20:11 të mbrëmjes së të shtunës në vendin e quajtur, ‘Rruga e Kosovarëve” Njësia nr 5, Tiranë në hyrje të pallatit “Melrose”. Persona të paidentifikuar ende qëlluan me armë zjarri pistoletë Artan Cukun 42 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, ish-punonjës Policie në funksione e detyra të ndryshme.