Deklarata e fortë e Mustafës: Duhen zbardhur vrasjet politike të veprimtarëve të LDK-së

Rajoni

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të njëjtën kohë kryeministër i vendit Isa Mustafa është kundërpërgjigjur ndaj akuzave se LDK po përmend vrasjet e veprimtarëve politikë për të përfituar politikisht.

Përmes një shkrimi në faqen e tij në “Facebook”, Mustafa ka theksuar se vrasjet do të përmenden, derisa të zbardhen në mënyrë të plotë. Mustafa u shpreh se do të donte që në Kosovë të vendoset drejtësia dhe të zbardhej çdo lloj krimi, edhe ai në pushtet.

Statusi i plotë i Isa Mustafës:

Të dashur miq,

Si edhe në të kaluarën, LDK po akuzohet që duke i kujtuar me respekt , po i përmend vrasjet e veprimtarëve të saj të shquar. Vrasjet do të përmenden, përderisa ato të mos zbardhen. Vrasjet duhet ti përmendin të gjithë, sepse drejtësia na takon neve të gjithëve. Ata që marrin mandatin e popullit e kanë për detyrë të angazhohen për drejtësi. Pa dallim!  Drejtësinë nuk mund ta ndajnë fëmijët e mbetur jetim e gratë e mbetura pa burra, as njerëzit e mbetur në karroca të invalidëve. Të gjithë këta e peshojnë drejtësinë dhe përgjegjësinë tonë; të institucioneve shtetërore, të partive politike, të shoqërisë civile, të mediave, të bashkësive fetare. Ata i besojnë shtetit të tyre dhe kërkojnë përgjigje për më të dashurit që padrejtësisht i humbën.

Ndërkaq, kush organizoi, kush nxiti dhe kush kreu vrasjet, duhet ta zbulojnë institucionet e drejtësisë. Tentimet që ato të adresohen paraprakisht janë qëllimkëqija, nga kushdo qofshin ato. Prandaj , “zellin” për ta akuzuar LDK-në se pse po kujton veprimtarët e vet dhe pse po kërkon drejtësi, do të ishte mirë ta orientonim në mbështetjen e organeve kompetente për ndriçimin e këtyre vrasjeve.  Edhe pasi të zbulohet e vërteta për vrasjen e veprimtarëve të saj, LDK do ti kujtojë ata me respekt dhe admirim. LDK është përpjekur dhe do të përpiqet që mos të lejojë pengimin e drejtësisë. Sepse kjo është padrejtësia më e madhe ndaj së sotmes dhe të ardhmes së Kosovës. IM

/D.Xh/