Tre anëtarë të KQZ­së akuzojnë Denar Bibën, kundër afateve për listat e zgjedhjeve

Politika

Përmes një deklarate për shtyp tre anëtarë të KQZ-­së, Hysen Osmanaj Klement Zguri, Vera Shtjefni, deklarojnë se afati i fundit i regjistrimit të listave ishte 28 prilli në mesnatë dhe jo 29 prilli. Ata akuzojnë kryetarin e institucionit të administrimit të zgjedhjeve, Denar Biba se ka tejkaluar kompetencat.

“Rrjedhimisht, çdo regjistrim për lista të paraqitura nga subjektet tej këtij afati është nul, i paligjshëm dhe i pavlefshëm”, argumentojnë ata. Në njoftimet për shtyp që KQZ bëri më 29 prill dhe 30 prill është bërë një interpretim subjektiv i nenit 67 të Kodit Zgjedhor dhe se nuk përfaqësojnë asnjë vendimarrje të KQZ. Tre anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), informojnë opinionin publik se deklaratat e KQZ të ditëve të fundit (datat 29 dhe 30 prill 2017) nuk përfaqësojnë asnjë vendimarrje të KQZ.

Ato janë qëndrime personale në kundërshtim më misionin e KQZ­së, si organi më i lartë shtetëror, i ngarkuar nga ligji zgjedhor për administrimin e zgjedhjeve, si edhe janë tejkalim flagrant i kompetencave të kryetarit të këtij organi. Fatkeqësisht në deklaratën e datës 29 Prill 2017, jashtë mbledhjes së KQZ dhe në tejkalim të çdo kompetence ligjore, në emër të KQZ, është bërë një interpretim subjektiv i nenit 67 të Kodit Zgjedhor, duke vendosur që “afati i regjistrimit të listave shumëemërore të kandidatëve të partive politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e datës 18 qershor 2017 […] korrespondon me datën 29 prill 2017”, pavarësisht se në çdo perllogaritje kjo datë duhej të ishte 28 prill 2017, në mesnatë. Rrjedhimisht, çdo regjistrim për lista të paraqitura nga subjektet tej këtij afati është nul, i paligjshëm dhe i pavlefshëm”,  thuhet në deklaratën për shtyp. E.SH/Shekulli/