E martuan 4 herë në Maqedoni/ Vajza që tentoi të vrasë bashkëjetuesin, e trafikuar në telashe

Aktualitet

26-vjeçarja Vjollca Shkembi, e cila është arrestuar sot nga Policia e Korçës me akuzen “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” mbetur në tentativë ka qenë rrëmbyer, shitur 4 herë në Maqedoni dhe më pas kërcënuar me jetë që të mos tregonte. Emri i Vjollca Shkëmbit, nuk eshte i panjohur per publikun. Historia e saj tronditi opinionin disa kohe me pare ku ajo vete ka marrë guximin t’i japë fund trafikimit të saj për qëllime martese, duke denoncuar tutorët, të cilët e kanë shitur atë në mënyrë të përsëritur në Maqedoni për vlera nga 400-700 euro. Ajo pohonte disa kohe me parë se ishte detyruar të mbronte dy trafikantët e saj, pasi ishte marrë peng nga babai i njërit prej tyre, shtetasi Qazim Qazimaj. Ky i fundit i kishte kërkuar duke e kërcënuar me vrasje që të mbronte djalin e tij, Urim Qazimaj, dhe trafikantin tjetër të saj, Mersin Myrtollari.

Ngjarja sot

Sipas policisë, sot në numrin 129 ka telefonuar një shtetase e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi në fshatin Pojan, në banesën e shtetases të mësipërme kishte një konflikt. Menjëherë pas marrjes të kësaj telefonate janë njoftuar shërbimet e Policisë, të cilat janë paraqitur në vendngjarje.

Nga kryerja e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasja Vjollca Shkëmbi, pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me mjet të mprehtë (sopatë), bashkëjetuesin e saj shtetasin N.K, 44 vjeç, banues në Sheqeras-Maliq, të cilit i ka shkaktuar plagë të lehta në trup. Pas mjekimit të marrë në Spital ky i fundit është larguar në banesë. Në cilësinë e provës materiale në banesë u gjet dhe sekuestrua mjeti me të cilin është goditur N.K. Shtetasja Vjollca Shkëmbi, u arrestua në kushtet e flagrancës për veprën penale : “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” mbetur në tentativë parashikuar nga nenet 79/c dhe 22 i Kodit Penal. Materialet për hetime të mëtjeshme i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë. /Panorama/