Zgjedhjet e 18 qershorit, Vlahutin apel politikës: Lejoni qytetarët të…

Politika

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, ka komentuar aktualitetin politik në vend dhe tërheqjen e kandidatit të Kavajës nga kryeministri Edi Rama.

Vlahutin gjatë një aktiviteti në Gjirokastër i ka bërë apel politikës shqiptare që të lejojë qytetarët të votojnë më 18 qershor.

“Jam absolutisht e sigurt se do të ketë guxim e mençuri të mjaftueshme dhe kurajo në gjithë politikën shqiptare që të gjejë mënyra të arsyeshme për t’u dhënë gjithë qytetarëve shqiptarë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar partinë të cilën ata zgjedhin. Kjo nuk duhet të jetë dhe nuk ka për të qenë bllokim i ambicies për integrimin në BE”, është shprehur Vlahutin.

“Çdo gjë që ne bëjmë si BE e bëjmë për shqiptarët dhe besoj absolutisht se gjithçka që bëjnë politikanët shqiptarë e bëjnë për shqiptarët”, është shprehur Vlahutin, e cila ka shtuar se “është më e lehtë të zihesh për diçka se sa të ndërtosh një gjë”.

Ajo ka bërë edhe thirrje për çuarjen përpara të reformave në mënyrë që vendi të vazhdojë avancimin e negociatave me Bashkimin Europian.