Policia e Lezhës ka arrestuar dy persona, pasi u kapën me 9 mina me telekomandë. Sipas njoftimit për shtyp të policisë, minat ishin të pajisura me telefon për shpërthim në distancë, kallëp tritoli, ndërsa të dyshuarve i’u gjetën edhe materiale të tjera që shërbenin për përgatitjen e këtyre minave.
“Pas disa hetimeve disamujore policia zhvilloi dje operacionin e koduar “Etalon”. Në përfundim të tij u sekuestruan 9 mina me telekomandë të pajisura me telefon për shpërthim në distancë, një çantë sportive, një kallëp lëndë shpërthyese tritol, 4 magneta, tela , kaçavida etj., materiale të tjera që shërbenin për përgatitjen e këtyre minave”, njofton policia.
Ndërkohë në prangat e policisë përfunduan shtetasit Franko Çinari, 21 vjeç, banues në Tiranë i dënuar më parë për vjedhje dhe Stavro Kotorri, 18 vjeç, banues në Tiranë.
Ndërkaq, u shpall në kërkim shtetasi me inicialet E. T., 30 vjeç, banues në Tiranë i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale “Trafikimi i armëve dhe municioneve”, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë.
Aktualisht vijojnë hetimet për të zbardhur qëllimin e prodhimit dhe të përdorimit të minave për shpërthim në distancë.
Ndaj të dyshuarve materialet i’u referuan Prokurorisë së Lezhës për ndjekje të mëtejshme lidhur me veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municioneve” kryer në bashkëpunim.