Linja e përparme e Luftës së Ftohtë të Rusisë është ende e pranishme në Ballkan. Serbia është epiqendra e axhendës antiamerikane të Rusisë, e cila synon të destabilizojë marrëdhëniet e shteteve properëndimore me aspiratat e NATO-s dhe të BE-së, shkruan David L. Philipst, analist në programin e paqes në Universitetin e Kolumbias, për Huffington Post…
Linja e përparme e Luftës së Ftohtë të Rusisë është ende e pranishme në Ballkan. Serbia është epiqendra e axhendës antiamerikane të Rusisë, e cila synon të destabilizojë marrëdhëniet e shteteve properëndimore me aspiratat e NATO-s dhe të BE-së, shkruan David L. Philipst, analist në programin e paqes në Universitetin e Kolumbias, për Huffington Post.
Serbia është një aleat i përshtatshëm për Rusinë. Të dyja vendet kanë lidhje të thella historike dhe kulturore. Rusia u favorizua edhe më shumë duke kundërshtuar me forcë ndërhyrjen e NATO-s në 1999. Në takimin e tyre gjatë muajit të kaluar në Moskë, Vladimir Putin e miratoi Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Putini premtoi gjithashtu sigurimin me armë.
Në “Donacionet” e Rusisë me pajisje ushtarake përfshihen gjashtë avionë MiG-29 të pajisur me raketa moderne, radarë dhe sisteme komunikimi, si dhe tanke të blinduar.
Serbia gjithashtu kërkon sistemet e mbrojtjes BUK ndaj sulmeve të mundshme nga ajri, si dhe raketat ajrore S-300.
Rusia ka një bazë spiunimi në Nish të Serbisë jugore për të monitoruar aktivitetet perëndimore në rajon. Moska, nga ana e saj, e mohon spiunazhin, duke këmbëngulur se baza përdoret për dhënien e ndihmave në raste përmbytjesh dhe mbrojtjen e pyjeve në raste zjarresh të mundshëm. Bashkëpunimi në fushën e sigurisë me Rusinë gëzon mbështetje të gjerë në mesin e serbëve. Shumica e tyre mbështesin stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Gati dy të tretat e serbëve e shohin NATO-n si kërcënim.
Edhe pse Perëndimi ofron mbështetje katër herë më të madhe në fushën e investimeve, serbët e shohin Rusinë si partnerin kryesor tregtar.
Rusia po rrit tensionet në Kosovë, e cila vazhdon të mbetet një pikë strategjike me rrezikshmëri të lartë, edhe pse tashmë ka kaluar pothuajse një dekadë që nga shpallja e saj si shtet i pavarur.
Në janar, Beogradi dërgoi në Mitrovicë një tren të prodhuar në Rusi, me mbishkrimet në gjuhë cirilike se “Kosova është Serbi”. Kur kosovarët e kundërshtuan një gjë të tillë, Vuçiç i kërcënoi për ndërhyrje ushtarake.
Serbët e Kosovës ndërtuan një mur në veri të lumit Ibër në Mitrovicë dhe kërcënuan se do të shkëputeshin nga Kosova.
Ata e mbuluan murin me postera të Vladimir Putinit. Mediat ruse ndikuan në përkeqësimin e tensioneve duke u angazhuar në propagandën anti-NATO. Sputnik, një agjenci shtetërore e lajmeve ruse, ka një zyrë aktive satelitore në Beograd.
Rusia gjithashtu nxiti konfliktin në Bosnjë. Në nëntor, Rusia mbështeti një referendum të diskutueshëm nga serbët boshnjakë, duke i paraprirë fazës së një shkëputjeje të mundshme. Bosnja rrezikon shumë që të shkëputet nga Republika Srpska.
Në Maqedoni, Rusia po mbështet në mënyrë të heshtur partinë drejtuese të VMRO-së, partinë e Nicola Gruevskit, e cila po bëhet gjithnjë e më antiamerikane dhe anti-BE. Maqedonia është qendra e lajmeve të rreme, që shpifin histori të paqena për politikanët dhe zyrtarët SHBA-së si edhe për filantropët perëndimorë të mirënjohur.
Mali i Zi është një tjetër provë e ndikimi rus. Autoritetet vendase arrestuan 20 agjentë serbë të cilët thurën një komplot për një grusht shteti në ditën e zgjedhjeve në tetorin e vitit të kaluar, duke akuzuar për një situatë të tillë “ organet shtetërore” të bashkëpunimit rus.
Mali i Zi do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s gjatë muajit të ardhshëm si një anëtar me të drejta të plota.
Kosova kërkon mbështetje për krijimin e forcave të armatosura dhe asistencë për Planin Kombëtar të Veprimit për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm.
Shqipëria ofron baza për të rritur operacionet ajrore të NATO-s dhe luftën kundër terrorizmit. Kroacia, anëtare e NATO-s, do të blejë avionë dhe pajisje të tjera nga Perëndimi si një përgjigje ndaj mobilizimit të Serbisë. Ajo gjithashtu kundërshtoi disa oferta të dyshimta të ndihmës nga Rusia në mbështetje të shuarjes së zjarreve të ndryshme gjatë verës së kaluar në bregdetin e Adriatikut.
Bosnja ripohoi angazhimin e saj për t’u bashkuar me NATO-n, dhe kundërshtimin ndaj serbo-boshnjakëve nën kontrollin e Beogradit.
Bosnja e kundërshtoi “marrëveshjen e mirëkuptimit” të Rusisë për veprime të përbashkëta në rast të fatkeqësive natyrore. Putini, duke lobuar për solidaritet ndërmjet sllavëve dhe ortodoksëve, nuk po bën gjë tjetër veçse po ndjek interesat e tij cinike për të sunduar Ballkanin, i cili sipas tij është lënë në harresë nga Perëndimi.
SHBA-ja duhet t’i përgjigjet agresionit të Rusisë, duke intensifikuar ndërhyrjet e saj ekonomike dhe diplomatike në Ballkan. Kjo mund të ndihmojë në stabilizimin e situatës së shteteve të brishta në Ballkan përmes bashkëpunimit në fushën e sigurisë që synon parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit.
Shumica e njerëzve të Ballkanit janë pro-amerikanë dhe pro-europianë. SHBA-ja dhe BE-ja mund të përballojnë me efektshmëri sfidën e Rusisë nëpërmjet angazhimit më të lartë në këtë çështje delikate.
* David L. Phillips është Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbias. Ai punoi si këshilltar i lartë në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Europiane gjatë administratave të Presidentëve Clinton dhe Bush. Ai është autor i të “Çlirojmë Kosovën: Diplomacia shtrënguese dhe ndërhyrja e SHBA-së.