Kohët e fundit, takimet për zgjidhjen e krizës politike në vend janë intensifikuar pas vizitës së zyrtarit të DASH në vendin tonë. Një ditë pas takimit me zv/ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, në zyrën e kryeministrit Edi Rama ka mbërritur ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Donald Lu.
Në limitet e afatit të lënë nga zyrtari i lartë amerikan, pas takimeve të djeshme në Tiranë dhe paketën McAllister që u rivendos në tavolinën e negociatave për zgjidhjen e ngërçit politik në vend, pritet që edhe krerët e mazhorancws dhe opozitës të marrin një vendim.
Ditën e djeshme zyrtari amerikan deklaroi pas takimeve me Ramën dhe pastaj edhe me Bashën se, ekziston tashmë një propozim që u paraqit, u ofrua nga anëtarët e Parlamentit Europian, z. Fleckenstein dhe z. McAllister. Siç e dini, ne e mbështesim atë. Mendojmë se është një propozim i ndershëm dhe shpresojmë që partitë do ta pranojnë si mjet për të arritur një marrëveshje për të mundur që të marrin pjesë në zgjedhje”.
Oferta në tavolinë tashmë vlen për Bashën, po ashtu edhe për Ramën, i cili në negocitatat e fundit me kryedemokratin në prani të Nishanit, ofroi shumë më pak se paketa McAllister, duke akuzuar Partinë Demokratike se nuk e fitoi shansin në kohën e duhur.
ÇFARË PARASHIKON PAKETA MCALLISTER
1. Procesi zgjedhor të shtyhet për në datën 16 korrik.
2. Zëvendësimi i katër ministrave kyç të qeverisë, me persona teknikë të propozuar nga Kryeministri dhe të aprovuar nga opozita.
3. Paketë për zgjedhjen me konsensus të Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit.
4. Kalimi i kreut të KQZsë tek opozita, por shumicën në institucion do të vazhdojë ta mbajë maxhoranca.
5. Dakordësimi për një tryezë të rrumbullakët të OSBEsë, pjesëmarrje të OJQve në të gjithë këtë proces.