Qeveritarët shqiptarë shpenzuan për udhëtimet e tyre jashtë vendit 2.6 milionë dollarë në vitin 2016, me një rritje 46% në krahasim me vitin 2015. Gjithsej shpenzimet buxhetore jashtë vendit ishin 22.2 milionë dollarë vitin e kaluar me një rritje vjetore 7.6%.
Analiza sipas zërave tregon për një tkurrje me 21% të shpenzimeve për pagat e stafit të ambasadave.
Ministria e Financave sqaron se pagat për trupin diplomatik vitin e kaluar kushtuan 3.6 milionë dollarë nga 4.6 milionë dollarë më 2015, teksa shihet se janë rritur shpenzimet e tjera për ambasadat duke arritur në 8.2 milionë dollarë më 2016 ose 34% më shumë se më 2015.
Gjithashtu në vitin e kaluar Shqipëria ka paguar kuota të anëtarësimeve në organizmat ndërkombëtarë me vlerë 7 milionë dollarë. Gjithsesi shpenzimet buxhetore jashtë vendit janë përgjysmuar në raport me vitin 2014, ku vlera e tyre ishte mbi 42.6 milionë dollarë. Gati gjysma e këtyre shpenzimeve dominohej nga shpenzimet e udhëtimit të zyrtarëve shqiptarë jashtë vendit me mbi 9 milionë euro. Pas rotacionit të qeverisjes më 2013, stafi i zotit Rama realizoi shumë udhëtime më 2014 për t’u prezantuar në rrafshin ndërkombëtar. Gjithashtu në vitin 2014 qeveria realizoi një reformë në stafin e trupit diplomatik, duke shkurtuar rreth 30% të tij. Shpenzimet për ambasadat në vitin 2016 ishin 18% më të ulëta se më 2014.