Rama: Tezat e maturantëve janë të sigurta, Shqipëria s’mund të jetë më peng e kopjeve

Politika

Nga Poliçani, kryeministri Edi Rama ka komentuar zërat se tezat e provimit të maturës kanë nisur të shiten në këmbim të votave dhe ka siguruar prindërit dhe nxënësit se një gjë e tillë është mashtrim.

“Dua t’u them të gjithë maturantëve dhe prindërve që kushdo që ju ofron këtë është në mashtrim sepse tezat e Maturës Shtetërore janë të supersekretuara dhe askush nuk mund t’i ketë, jo më t’i nxjerrë në pazarin e votave. Mjafton një ofertë e tillë që shkel dinjitetin e prindërve tuaj për të refuzuar ofertuesin dhe për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë iluzionit se shkollat mund të merren me kopje, se votat mund të merren me kopje, se Shqipëria mund të mbahet peng me kopje”, tha Rama.

Edhe një herë, kreu i socialistëve është ndalur tek përfaqësimi i grave, që në Qarkun e Beratit është zero nga ana e Partisë Demokratike.

“Duhet të bashkohen të gjitha gratë, vajzat, nënat, motrat dhe gjyshet, pavarësisht bindjeve politike, sepse bindjet e majta dhe të djathta janë nën bindjen se gratë duhet të jenë të respektuara njësoj si burrat”, deklaroi Rama.

E në fund, Edi Rama ka kërkuar mbështetjen e të gjithëve për të vijuar reformat e nisura, me një mandat më të fuqishëm.

“Kemi nevojë për një mandat edhe më të fortë se i pari, që të bëjmë për Shqipërinë, për ekonominë, për punësimin më tepër se asnjëherë tjetër, duke luftuar dhe fituar me të njëjtin pasion dhe me të njëjtën këmbëngulje që luftuam dhe fituam për reformën në drejtësi dhe për vettingun”, u shpreh kryeministri.