Euro në rënie të pandalshme, po i afrohet me shpejtësi 133 lekëve…

Ekonomi

Euro po zhvlerësohet me shpejtësi në tregun vendas duke shënuar një tjetër rekord të ri të ulët. Sot, një euro këmbehej me 133.18 lekë, 0.10 lekë më pak se fundi i javës së kaluar, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Ky është niveli më i ulët që nga shtatori i vitit 2009.

Leku është forcuar edhe përkundrejt dollarit, duke u këmbyer me 119.05 lekë, 0.28 lekë më pas se të premten, duke reflektuar kështu zhvlerësimin e dollarit në bursë ndaj monedhës së përbashkët, e cila ka reflektuar besim tek investitorët pas fitores absolute të maxhorancës nga partia e Macronit në Francë.

Në bursat ndërkombëtare, euro ka fituar pikë sot, duke u këmbyer me 1.12 USD, e nxitur nga fitorja bindëse e presidentit francez Macron.

Megjithatë, pavarësisht forcimit në bursë, monedha e përbashkët nuk ka mundur të devijojë nga trendi rënës në vend. Sipas ekspertëve nivele të tilla të ulëta të euros ishin parashikuar për sezonin veror, por duket se fushata zgjedhore ka qenë një nxitës për përshpejtimin e zhvlerësimit të euros në tregun vendas.

Euro, pritet të zhvlerësohet më tej në fund të këtij muaji dhe javën e parë të muajit korrik, pasi me përfundimin e muajit të Ramazanit pritet të shtohet fluksi i turistëve nga Kosova.

Pas trysnisë së efekteve sezonale, ekspertët thonë që euro do të vijojë të zhvlerësohet edhe gjatë gushtit me rikthimin e emigrantëve për pushime, shkruan Monitor.