Ngjarja e rëndë – Shpërthim me lëndë plasëse pranë zyrës elektorale të LSI-së në Durrës

Aktualitet

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar gjatë natës para zyrës elektorale të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin bregdetar të Durrësit.

Lënda plasëse është vendosur në hyrje të zyrës elektorale, ndërsa sasia ka qenë e vogël.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u evidentua se ishte vendosur një sasi e vogël lënde shpërthyese dhe për pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, sqaron policia.

Për veprime më të specializuara në lidhje me llojin dhe sasinë e lëndës plasëse po kryhen veprimet nga ekspertët antieksploziv.

Uniformat blu nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit po kryejnë të gjitha veprimet e duhura hetimore me qëllim identifikimin,  kapjen e  autorëve dhe zbardhjen  e plotë të ngjarjes. 

Incidenti i rëndë është i pari i këtij lloji gjatë kësaj fushate elektorale.