Mbajtja e zgjedhjeve i ka hapur rrugën çeljes së bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë nga BE. Konfirmimi ka ardhur nga raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein.
Në një intervistë për seksionin shqip të radios Deutsche Welle, eurodeputeti gjerman thotë se zgjedhjet ishin shumë më të kënaqshme se të mëparshmet referuar atmosferës. “Kur dëgjoj vëzhguesin tonë, zotin Kukan që ishte aty, përmirësimi është i dukshëm. Besoj se nuk ka si bëhet ndryshe, veçse ta themi qartë se tani duhet që të hapen negociatat” tha ai. “Ndoshta do të kalojnë pak javë e muaj derisa të ulen të gjithë në një tavolinë, por nuk duhet të vendosim pengesa të reja, sepse kjo nuk do ishte e drejtë” u shpreh eurodeputeti gjerman.
Zoti FLeckenstain i ka parë pretendimet për blerje votash si një çështje që duhet të shqyrtohet se si do të luftohet, madje deri diku edhe një çështje nderi për një vend. Në të njëjtën kohë vlerësimet kanë njerrë në pah marrëveshjen politike para zgjedhjeve. “Sigurisht ajo ka luajtur rolin e saj. Dhe unë jam i gëzuar që mund të themi, se zgjedhjet kaluan kryesisht në një atmosferë paqësore, ashtu siç duhet të jetë, dhe se këtu kryeministri Rama dhe Basha me ujdinë e tyre dhanë një kontribut të madh për këtë” tha zoti Fleckenstein.
Pritmëria e eurdeputetit dhe një prej zërave kyç për Shqipërinë në BE është e madhe edhe përkundrejt forcës fituese. “Kryeministri Rama e ka tani rrugën e hapur, për të mbetur tek imazhi tij, dhe nëse ai di ta përdorë si duhet këtë pushtet, ai do të gjejë shumicën që i duhet edhe në parlament. Këtë tani Rama duhet ta vërtetojë” tha zoti Fleckenstein. “Detyrat që qëndrojnë para qeverisë janë zbatimi i vërtetë i reformës në drejtësi, ajo duhet të çojë përpara luftën kundër drogës, korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar. Në pikë tjetër e rëndësishme do duhet të jetë trajtimi i çështjes së vështirë të pronës dhe gjetja e një zgjidhjeje për këtë. Rama nuk ka për t’u ankuar, se tavolina e tij e punës do të jetë plot” tha në një intervistë për seksionin shqip të radios Deutsche Welle, eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein.