Volejboll : “Nxehet” merkatoja e vajzave të rrjetës

Sporti

Paraqitja e mirë që Kombëtarja Kuqezi e volejbollit për femra bëri gjatë fazës së grupeve të Ligës së Evropës, ku përtej eliminimit, korri dy fitore, ka bërë që për lojtaret kuqezi të vijnë ofertat e para për sezonin e ardhshëm.
E para që konfirmoi destinacionin e saj ishte Erblira Bici, e cila ka rinovuar edhe për një sezon tjetër kontratën me LPM Mondovinë, skuadrën pranë kufirit italo-francez, që militon në nivelin e dytë të volejbollit të Apenineve.
Një tjetër lojtare e spikatur, kapitenia Arjola Prenga, e cila e mbylli në Turqi sezonin e shkuar, ka një numër ofertash nga klube të tjera të nivelit më të lartë. Por duket se destinacioni i saj do të jetë gjetkë. Prenga ka pohuar për Televizionin Shqiptar se ka një ofertë nga Santorini në Greqi, por edhe nga një klub izraelit dhe se së shpejti do të vendosë se çfarë do të zgjedhë.
Sa i përket Sava Thakës, e cila e mbylli sezonin në nivelin më të lartë të volejbollit polak, në “Orlen Ligë”, ekziston edhe një mundësi për një zhvendosje në Gjermani. Korçarja ka gjithnjë në dorë mundësinë e rinovimit me klubit polak, por duket se synon të hedhë një tjetër hap të madh në karrierë, duke e provuar fatin në kampionatin gjerman.
Shqiptaro-amerikania Sindi Marina e ka konfirmuar që më parë destinacionin e saj në kampionatin amerikan të volejbollit të kolegjeve, teksa ka mbyllur një sezon të suksesshme me Universitetin e Dukës, për të vijuar sezonin e ardhshëm me “Trojanët” e Universitetit të Kalifornisë Jugore, me të cilët ka nisur stërvitjen. Ndërkaq, një tjetër lojtare shqiptare që do ta provojë fatin jashtë Shqipërisë, është volejbollistja e Partizanit, Esmeralda Tuci, e cili mund të zhvendoset në jug, në kampionatin grek të volejbollit të femrave. Sa i përket lojtareve të reja, shqiptarja e lindur dhe e rritur në Greqi, 19-vjeçarja Maria Sade, do të vazhdojë të luajë në volejbollin helen, ashtu sikundër edhe Seda Arapi do të vazhdojë të luajë në kampionatin italian. Aty ku do të luajë edhe 21-vjeçarja Madona Ulaj, e cila bëri një paraqitje të kënaqshme me Kombëtaren dhe tanimë duket se do ta provojë fatin në një skuadër tjetër, mbase një nivel më lart sesa Seria B ku sezonin e shkuar luajti për Piko Lekon.
Lëvizjet intensive në merkaton e volejbollit të vajzave, vlerësohen si një ogur i mirë për nivelin e Kombëtares Kuqezi.