Zguri: Përfundon afati i regjistrimit të ankesave në KQZ, deri tani vetëm tre kërkesa nga partitë politike

Aktualitet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi sot përfundimin e afatit të lënë në dispozicion të partive për të ankimuar tabelat përmbledhëse të rezultateve zgjedhore.

Kreu i KQZ, Klement Zguri, bëri me dije se ka marrë tre kërkesa të tilla nga PDIU dhe PS për Tiranën dhe PD për Beratin, të cilat do të shqyrtohen brenda 20 korrikut.

Subjektet kishin të drejtën të kërkonin ndryshimin e Tabelave Përmbledhëse të Rezultatit sipas qarqeve ose/dhe pavlefshmërinë e rezultatit në një apo më shumë qendra votimi. Këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Tiranë, Partia Demokratike, e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Berat, si dhe Partia Socialiste e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Tiranë.  Tabelat përmbledhëse të rezultateve për qarqet e tjera, nga sot nuk mund të kontestohen më”, sqaroi Zguri në konferencën për mediat.

Ai tha se asnjë subjekt elektoral nuk ka paraqitur kërkesë për deklarimin e pavlefshëm të rezultatit në ndonjë qendër votimi, duke shtuar se kërkesa të tilla, nga sot nuk mund të depozitohen më.

Gjithashtu, Zguri tërhoqi vëmendjen se shqyrtimi administrativ i ankimimeve nga KQZ-ja nuk ezauron gjithë problematikën e këtyre zgjedhjeve. “Procesi, me gjasë, do investojë dhe Kolegjin Zgjedhor, tek drejtësia e të cilit KQZ mbeshtetet plot besim”, nënvizoi kreu i KQZ-së.

Por procesi ka regjistruar incidente dhe shkelje të natyrave të tjera, të cilat kërkojnë reagimin e përgjegjshëm edhe të institucioneve të tjera. Task Forca e ngritur nga Këshilli i Ministrave për monitorimin e Zgjedhjeve 2017 apo Departamenti i Administratës Publike, janë marrë gjerësisht me problematikën e zgjedhjeve, kanë bërë konstatime, kanë ndërhyrë dhe kanë nisur procedura hetimi administrativ. Është momenti që këto organizma të bëjnë publike rezultatet e punës së tyre. Në mënyrë të veçantë organet e ndjekjes penale kanë regjistruar çështje hetimore, për të cilat shqiptarët presin hetim të shpejtë, të pa ndikuar politikisht, profesional dhe të drejtë. Shqiptarët presin të bëhet publik sa më shpejt rezultati i procedimeve penale për të gjitha veprat penale në fushën e zgjedhjeve që janë në hetim. Qytetarët kanë nevojë ta shohin drejtësinë penale në fushën e zgjedhjeve në veprim dhe në lartësinë e ligjit. Pa lajme serioze, të besueshme dhe të qëndrueshme nga organet e ndjekjes penale nuk mund të ringrihet besimi i publikut tek zgjedhjet”, tha ai.

Për këtë arsye, Zguri u bëri thirrje të gjitha institucioneve të përfshira të përmbyllin me përparësi procedurat e tyre të hetimit administrativ apo penal dhe të bëjnë sa më shpejt publike rezultatet e punës së tyre.