Ashtu siç tashmë bën pas çdo dështimi, edhe lajmin se Shqipëria doli nga Samiti i Triestes pa asnjë projekt, kryeministri Rama e përgënjeshtroi pa asnjë problem.
“Nuk ka projekte konkrete për Shqipërinë në infrastrukturë, ndryshe nga ai i mëparshmi ku ishte projekti i hekurudhës Tiranë-Durrës. Shpresojmë që në edicionin e ardhshëm të ketë projekte. Gjithsesi, samiti është i rëndësishëm pasi mund të identifikohen projekte për të cilat mund të hidhen hapa për zhvillimin e mëtejshëm”, deklaroi atëherë ambasadori Cutillo.
Dhe në fakt tani që ky samit është mbyllur dhe kanë dalë të gjitha të dhënat zyrtare për projektet që u vendosën aty rezulton, se e vërteta është pikërisht ajo që kishte deklaruar që më 30 Qershor ambasadori Cutillo.
Ja cila është e vërteta e plotë e këtij samiti, që nxjerr zbuluar mashtrimin e kryeministrit Rama:
Në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Trieste, BE miratoi 194,1 milionë euro grante për sektorin e transportit rrugor dhe sektorin e energjisë. Ky financim ishte pjesë e Axhendës së Bashkëpunimit për periudhën 2015-2020, me vlerë totale 1miliard euro. Deri më tani, rreth 501,3 milionë euro janë përdorur për mbështetjen e 20 projekteve të ndryshme në rajon. Nëse shikojmë shpërndarjen e granteve të reja që u dhanë në Itali, rezulton se Kryeministri Edi Rama dhe ekipi i tij kanë dështuar krejtësisht, në sigurimin e çdo investimi të ri.
Nga 194,1 milionë euro që do të investojë pas këtij samiti BE-ja, përfituesi kryesorë rezulton të jetë Serbia me 78 milionë euro, për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Bullgarinë dhe ndërtimin e linjës hekurudhore nga Nishi në kufirin bullgar. E dyta renditet Maqedonia (dhe jo Shqipëria siç deklaroi Rama në konferencën për shtyp të mbajtur për këtë rast) me një grant prej 70 milionë euro për ndërtimin e rrjetit të saj hekurudhor. Pas saj vjen Bosnjë – Hercegovina, e cila mori pjesën e mbetur prej 46.1 milionë euro investime, për projekte të ndryshme infrastrukturore.
Që prej vitit 2015, Shqipëria ka përfituar vetëm 10 për qind të fondit prej 501,3 milionë eurosh të miratuara nga BE, pra në total ka përfituar vetëm 50,1 milionë euro investime. Vendi ynë renditet më poshtë, edhe se sa Kosova, e cila ka përfituar 56,1 milionë euro investime nga BE-ja në kuadrin e Axhendës së Bashkëpunimit për zhvillimin e infrastrukturës.
Por situata është edhe më keq se kaq. Shqipëria ka mbetur pas edhe për sa u përket projekteve të fituara dhe tashmë të financuar nga BE për vitin 2015 dhe 2016. Pjesa shqiptare e linjës së interkonjeksionit ndërmjet Fierit dhe Bitola/ Manastiri në Maqedoni, e miratuar më 2015, është ende në fazën projektuese, kur ndërkohë Maqedonia, për pjesën e saj ka hapur procedurat e tenderimit dhe po bëhet gati të nisë punën.
Edhe financimi i marrë për një pjesë të Korridorit Hekurudhor Mesdhetar që ndërlidh Tiranën me Rinasin dhe Durrësin që u miratua në vitin 2016-ën, ka pala jonë ka ngelur ende në letër, duke qenë se qeveria jonë po zgjat pa fund fazën e projektimit.
Axhenda që ju sjellim më poshtë, ajo e Bashkëpunimit për vitin 2017 i publikuar për Samitin e Triestes tregon qartë, se në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria sistematikisht po mbetet në vendnumëro për zbatimin e projekteve dhe shumë më pak e aftë se të gjithë vendet e tjera të rajonit të bindë BE-në, të investojë në infrastrukturën e vendit.
Samiti i Ballkanit Perëndimor është një nismë ndërqeveritare e krijuar në vitin 2014 për të nxitur një integrim më të madh mes vendeve të rajonit. Aktualisht janë anëtarë të Procesit të Ballkanit gjashtë vende të BE-së (Italia, Gjermania, Franca, Austria, Kroacia, Sllovenia) dhe gjashtë vende të Ballkanit (Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Shqipëria).
/syri.net/