Rama prezanton grupin negociator të Shqipërisë me BE-në: T’i tregojmë Brukselit seriozitetin dhe cilësinë e punës sonë

95

Kryeministri Rama ka dalë sot në një konferencë për mediat me ekipin e negociatave me Bashkimin Evropian. 

Në takim merrte pjesë edhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, si dhe Ministrja e Shtetit, njëkohësisht Kryenegociatore Majlinda Duka. Rama tha se tashmë misioni është që vendi të fitojë respektin në aspektin teknik, pas respektit politik që mori.

“Është themelore që të garantojmë me punën, me seriozitetin, me cilësinë e materialeve, me cilësinë e komunikimit që Shqipëria të shikohet me respekt në çdo hap. Atë respekt të fituar në aspektin politik ta fitojmë edhe në aspektin teknik. Skuadra shqiptare në Bruksel të krijojë përshtypje serioziteti dhe në Bruksel të flitet për cilësinë e punës së skuadrës shqiptare”, tha Rama.

Kryeministri lavdëroi punën e deritanishme të ambasadorit Mazi dhe tha se me emërimin e Majlinda Dhukës procesi fiton një dimension të ri.

“Vendosja e kryenegociatores së re nënvizon ndryshimin e natyrës së marrëdhënies me Bashkimin Evropian. Ambasadori Mazi bëri një punë të lavdërueshme, duke bërë një punë të jashtëzakonshme diplomatike. Ndërsa tani ndryshon qasja. Procesi tani kërkon një profil teknik”, tha ai.

Rama tha se Duka i ka kompetencat e të gjithë procesit që lidhet me përthirthjen e normativës evropiane në të drejtën kombëtare. Sipas tij ajo ka detyrimin e informimit të vazhdueshëm të parlamentit, duke garantuar të gjithë procesin horizontal në komunikim të vazhdueshëm me çdo ministri. Kryenegociatorja e sapoemëruar, Majlinda Duka,  e nisi fjalën e saj me falënderim ndaj qeverisë, ndërkaq theksoi përgjegjësinë për detyrën e re.

“Faleminderit për besimin tuaj dhe të qeverisë shqiptare. Është me përgjegjësi të lartë që e nis detyrën time sot. Të dashur kolegë, kërkoj bashkëpunim, shpejtësi, progres, rezultat. Me shumicën prej jush kam punuar edhe më herët. Momenti është historik, besimi qe na është dhënë është i veçante, do t’ju lutesha për bashkëpunim maksimal”, tha ajo.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: