Nga Azem Parllaku /
Jean Claude Junker, Presidenti i Komisionit Europian nëpërmjet fjalimit të tij vjetor, para deputetëve të Parlamentit Europian, foli për vizionin dhe të ardhmen e Unionit. Fjalimi i Junker dhe deklarata e përfaqësueses së lartë për politikat e jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, përkuan me kohën kur, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli për programin e qeverisjes së dytë të tij, ku tha se fatet e integrimit të Shqipërisë, varen nga Bashkimi Europian.
Ndërsa, Rama përmendi se, qeveria e drejtuar nga ai është e gatshme të plotësojë detyrat e saj, reagimi i përfaqësuesve të lartë të Unionit, nuk është aspak optimist për shqiptarët teksa thanë se, të paktën për dy vitet në vijim asnjëri nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të mund të antarësohet në Bashkimin Europian.
Gjatë prezantimit të programit të qeverisë në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Rama pretendoi se objektivi i qeverisë së tij, është hapja e negociatave për anëtarësim vitin e ardhshëm, ndërsa supozoi se, nëse kjo nuk ndodh, fajin e ka Bashkimi Europian, që sipas Ramës vazhdon të shtojë kushte për Shqipërinë. Përtej këtyre deklaratave e vërteta është se, Serbia dhe Mali i Zi kryesojnë garën e integrimit, e për këto dy vende në shkurt të vitit 2018, do të prezantohet një strategji për anëtarësim të suksesshëm.
Sa i përket vendeve të tjera, përfshirë dhe Shqipërinë, Junker u mjaftua me përsëritjen e angazhimit të Bashkimit Europian për anëtarësim në një të ardhme jo të afërt, duke argumentuar se, asnjë nga këto vende nuk është gati për anëtarësim. “Nuk na mbetet veçse të bëjmë sa më mirë atë që kemi ne në dorë dhe pavarësisht zyrtarizimit dhe fazave të zyrtarizuara në proçes, ne t’a bëjmë Shqipërinë një vend me standarte, norma dhe mirësjellje si në Bashkimin Europian”, nënvizoi Rama. Por, praktikisht situata nuk është kaq e thjeshtë siç e prezanton kryeministri. Në raportin e fundit të të progresit të nëntorit 2016, thuhet se Shqipëria gjendet në hapat e para, pothuaj në të gjitha objektivat që i duhet të realizojë.
Në raportin e progresit shkruhet se, integrimi Europian i Shqipërisë, nuk ka ngecur për shkak të kushteve nga ana e Brukselit, por për shkak të mungesës së interesimit të Tiranës zyrtare, për të plotësuar edhe kushtet më të thjeshta. Sipas përfaqësueses së lartë për politikën e jashtme, Federica Mogherini, vendet e Ballkanit që synojnë anëtarësimin janë ende në fillim të reformave, dhe se asnjë nga vendet nuk është gati për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian para tre vjetësh. Që proçesi i anëtarësimit të funksionojë duhen reforma ekonomike, gjyqësore dhe institucionale, pohojnë pandërprerë zyrtarët e Brukselit.
Duke folur në Parlament kryeministri Rama, theksoi se, “Çelja e negociatave nuk lidhet me atë çfarë ne mund të bëjmë më mirë. Implementimi i Vetting-ut ka nisur dhe rezultatet do të vijnë shumë shpejt. Por nëse Bashkimi Europian kërkon më shumë kohë për probleme të veta, atëherë mund të vazhdojë të thotë që thellohuni, thellohuni me Vetingu-n dhe ne e dimë mirë çfarë do të thotë kjo”. Përveçse Vetting-ut, Europa është larg për Shqipërinë edhe për probleme të tilla si: zgjedhjet e lira të ndershme dhe të besueshme, çeshtja e kanabisit, rritja e numrit të shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Europian, korrupsioni, krimi, etj.
Vetëm pak ditë më parë, Bashkimi Europian dërgoi për Shqipërinë sinjale aspak pozitive, duke i shtuar kushtëzimit të hapjes së negociatave për integrimin e vendit edhe luftën kundër drogës. Ky kusht shtesë e legjimiton alarmin që mediat e pavarura dhe opozita e ka ngritur më herët. Për shoqërinë e shëndoshë shqiptare vendi rrezikon integrimin nga kriminalizimi i drogës, duke e bërë përgjegjës kryeministrin si “mbështetës” për kultivimin e kanabisit. Europa po kërkon edhe dhënien fund të kulturës së mosndëshkimit, që do të thotë se vetëm ratifikimi i reformës së drejtësisë në letër dhe pa rezultatet konkrete nuk mjafton për Brukselin.
Tashmë kur Europa është edhe më larg, politikbërësit e Tiranës e dinë mirë se së shpejti Shqipëria do të braktiset nga të gjithë. E dinë militantët e partisë në pushtet, veteranët me prostatë dhe panolina, kasketat të lindur pas “lufte”, që kontrollojnë vendin në mënyrë kapilare. E dinë trimat e drogës me poste qeveritare dhe diploma gjithëprofesionale. E dinë oligarkët e mrekulluar nga mali i tyre i pasurisë mbi shkretëtirën e varfërisë shqiptare, siç e dinë drejtorat dhe burokracia e shkatërrimit të organizuar të Shqipërisë.
“Të gjithë do të ikin-duan të ikin: mezi presim ne emigrantët e kthyer për pushime, të cilët vijmë për t’i shpenzuar dy lekët e kursimeve në detin e përbajgur, në qelbësirën toksike të qytetnave e fshatrave tona”, shkruante këto ditë poeti e publicisti emigrant Zef Zefi. Shqipëria do të braktiset nga njerëzit që i kanë rezistuar me shpirt ndër dhëmbë dhunës së sponsorizuar politike, ekonomike e mafioze që operon pushtetin e tyre nëpërmjet gjirizeve financiare dhe një administrate e cila merr drejtqëndrim sapo shfaqen makinat e blinduara të trimave e trimëreshave të partisë. Shqiptarët ikin si prej një pushtuesi. Ikin prej djallit që votuan vetë. Ikin dhe do të ikin, mbasi mjerimi socialist është shtruar këmbëkryq. Konstatuesit aktualisht janë numri dhe përmbajtja më e lartë “intelektuale” e politike e Shqipërisë, perfshirë dhe mediat e pavarura.
Po konstatuesit nuk perbëjnë opozitën. Këtë minimalisht duhet ta dijë edhe “elita” mjerane e keqvotuar e opozitës zyrtare të vendit. Europa na qaset larg mbasi Shqipëria e ditëve tona prodhoi më shumë individë me qasje kriminale ndaj ligjeve shqiptare dhe atyre nderkombtare, sesa vendet e tjera te rajonit dhe me gjërë. Shqiptarët nuk janë ikanakë apo kriminel prej natyre. Shkaqet e kriminalizimit të shqiptarve dhe atdhe-braktisjes, për një “jetë më të mirë”duhen kërkuar gjetkë. Shkurt e kthjellët, armiku nuk rezulton më Saliu.
Pritezot çeta Basha me zhurmën e saj opozitare. Një tjetërkush, i maskuar që lëviz në zona të ngushta të luftimit, bash në vijën e zjarrit, falë ndihmës internacionale të këshilltarëve neojugosllavë, na ka larguar edhe tre vite më larg nga Europa.