Nga Azem Parllaku /
Në një vend si Shqipëria, që në raportet ndërkombëtare përshkruhet si shteti ku dominon droga, korrupsioni dhe ndërthurja e klaneve me politikën, përforcimi i mendimit se, nuk ka personalitet politik apo shtetëror të pacënueshëm, është sinjali i fillimit të konsolidimit të Demokracisë. Sot jemi në kushtet e zbatimit për herë të parë të Reformës në Drejtësi, për të cilën mburret dhe bërtet aq shumë Edi Rama.
Fati i një ish-ministri rilindas është dorë të drejtësisë, dhe rrjedha e ngjarjeve është vendimtare jo vetëm për politikën, por edhe një test për vetë drejtësinë se sa ajo është e aftë për t’i shërbyer shtetit ligjor. Shqiptarët sot duan që, Saimir Tahiri, të bashkëpunojë me drejtësinë. Ndoshta ai do të jetë bashkëpunues, edhe pse është në dorën e drejtësisë më të keqe të Europës. I duhet të jetë bashkëpunues që, të mos ketë të njejtin fat me Koçi Xoxen, Mehmet Shehun, e Kadri Hazbiun.
Tahirit i duhet të bëhet trim, dhe të përfitojë mbasi shofer Rama nuk e ka në dorë krejt drejtësinë. Nuk i duhet bëjë marrëveshje me Ramën, nëse ka fakte për përfshirjen direkte të Ramës në mardhënien me bandat mafioze. Nuk i duhet t’i besojë turmës që, Rama, i’a çon në mëhallë. Ajo turmë militantësh janë fansat e ERTV-së, që duan të na thonë “Imagjinoni çfarë mund të bëhej, nëse Rama do të ishte sot në vendin e Tahirit”. Nuk duhet t’u besojë as deputetëve të Partisë Socialiste të cilët po përpiqen të denigrojnë kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit, arrestimin dhe kontrollin e banesës së tij.
Prokuroria po argumenton, se përgjimet në Itali, çështja e makinës së shitur dhe rimarrë hua nga Tahiri dhe fakti që policia ka dështuar të godasë në territorin e Shqipërisë grupin kriminal “Habilaj” përgjatë katër viteve, përbëjnë të gjitha të dhëna rrethanore të cilat krijojnë “bindjen e arsyeshme” për përfshirjen e Saimir Tahirit në trafik droge, prova që, ndonëse janë hetuar më parë dhe janë rrëzuar si të pavlefshme, të shqyrtuara nën dritën e zbulimeve të fundit, marrin peshë të re. Jo vetëm Prokuroria dhe mediat, por në tërësi edhe shoqëria e quajnë përgjegjës Tahirin për faktin se grupi i Habilajve veproi i paprekur nga policia shqiptare përgjatë gjithë prriudhës që, Tahiri ishte ministri më i “fortë” në qeverinë e parë të Ramës.
Ky grup ka transportuar drejt Italisë sasi të mëdha të drogës për një periudhë disavjeçare. Prokurorët thonë se një hetim i nisur në vitin 2016 prej tyre, në lidhje me Habilajt, kishte nisur me referencë nga Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) dhe jo me referencë nga policia. Si politikan, si ish-ministër të takon të mos aktrosh Saimir, mos i bëj “gjyqin special” Prokurorisë së Shtetit, mos bëj moral dhe mos trego fabula. Një djall i zi me brirë bëhu, Tahir, sepse timonierit rilindas i janë shuar të gjitha reflekset.
Piktori ka kohë që ngjyros me të zezë. Saimir, duke të të quajtur e konsideruar si zëvendësministër dje, Rama i’a nxiu jetën popullit shqiptar, ndërsa lulëzimi dhe trafikimi i drogës në mjedisin tonë, tashmë është kërcënim për Europën. Edi Rama, kryeministri shqiptar që, ende shpreson se po e josh opinionin me deklaratat nacionaliste, teksa poshtë stabilitetit të rremë fryjnë duhmat e qelbura të krimit, mendon se Ballkani është aq emocionues sa dikur, dhe harron që, Bashkimi Europian dëshiron të ruajë stabilitetin dhe ndikimin në oborrin e vet.
Për Europën, mijëra hektarët e “arit” jeshil, mijëra qytetarët e implikuar, të arrestuar për mbjellje, trajtim e sidomos përdorues, viktima e të vrarë nga “melhelmi” rilindas që, ka prodhuar hemoragjinë demografike me shifra që i korrespondojnë vetëm viteve ’90 dhe 97-98, nuk kishte pse të mos jetë alarmuese. Të dhënat mbi korrupsionin, drogën, pastrimin e parave në Shqipëri një shkrim i faqes së Këshillit të Europës, i bërë publik këtë javë i bazon tek raporti i Departamentit të Shtetit.
Drejtësia në Shqipëri është në test, kur pjesa dërrmuese e qytetarëve nuk besojnë në paanshmërinë e sistemit të gjyqësorit. E gjitha kjo do të thotë se njerëzit kanë shpresa shumë të ulëta për të ardhmen e tyre. Nëse edhe kësaj here drejtësia nuk do të mundet të thotë fjalën e saj, atëherë shqiptarëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse, të ikin diku tjetër. Çmontimi i grupit kriminal të trafikantëve të drogës dhe lidhjes së tyre organike me politikën është në dorën e drejtësisë që u duhet shqiptarëve të zhgënjyer nga udhëheqësit e politikës.
Ndëshkimi i bandave e banditëve që kontrollojnë e mbajnë në rrethim Policinë e Shtetit dhe institucionet tjera shtetërore, është beteja që e grish në rol edhe qytetarin shqiptar, thërret në mision edhe median e cila vetëm gjatë këtyre ditëve, nuk duhet të manipulojë, kontrollojë e çorodisë opinionin publik, ashtu sikurse inteligjenca e kombit duhet të ngrejë zërin e sensibilizimit.
Dinamikat negative në Shqipëri i reflekton mungesa e investimeve, papunësia, dhe korrupsioni, rritja galopante e borxhit te brendshëm e të jashtëm. Zero investimet e brendshme, perjashtuar fasadat e turpshme pa asnjë impakt ekonomik as të ardhurash e as konsumi, të bera nga oligarkët për të thithur lekun publik me bekimin dhe liçensimin e Qeverisë, i kanë varfëruar shqiptarët deri në ekstrem. Mbi politikanën rëndon sot një tjetër mision. Asaj i duhet të artikulojë qartë dhe saktë se çfarë dëmi i kanë sjellë drejtimit të Shqipërisë lidhjet e politikanëve kriminelët dhe baronët e drogës. Shqiptarët duan që çështja Tahiri të mos ngjajë si plenum i Partisë së Enverit dikur.
Kjo çështje nuk duhet të kthehet në gjyq për prokurorët. Kjo çështje inauguron në realitet, zbatimin e Reformës në Drejtësi. Rama duket që po bën gjithçka për ta sabotuar duke rrezikuar që të krijojë që në krye të herës, që në gjenezë, një precedent që mund ta hedhë në erë projektin më të rëndësishëm që pas instalimit të demokracisë në Shqipëri. A do ta luajë drejtësia rolin e saj, apo do të mbyllë sytë? Kjo do të jetë zgjedhja që do të na tregojë nëse kemi një drejtësi për të shpresuar dhe për t’i besuar. Nëse është e rreme, e blerë me milionat e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe kumbarëve mafiozë, këtëherë do të ndodhë që drejtësia si premtimi solemn i Edi Ramës do t’i groposë shqiptarët.