Të enjten shefi i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati do të udhëtojë drejt Kretës për të biseduar me homologun grek Kotzias për të gjitha çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve tona; një format që realizohet për herë të parë
“Dua të siguroj vetëm për dy gjëra; e para ky është një diskutim në një format që praktikisht bota e njeh dhe e aplikon, është më I strukturuar, më intensiv mes ministrave dhe ekipeve respektive, nuk është një negociatë që të jemi shumë të qartë në këtë pikëpamje. Dhe gjëja e dytë që dua të them është që angazhimi I qeverisë shqiptare për të qenë sa më angazhues në këtë proces për të zgjidhur të gjitha çështjet të cilat konsiderohen të hapura me Greqinë; që nga shporta historike e deri tek çështjet e aktualitetit, pasojat e së cilës I vuajnë qytetarët.”
Është tashmë e njohur problematika mes Shqipërisë e Greqisë duke nisur nga; ligji i luftës që Athina zyrtare e kane ende ne fuqi, tek ndarja e kufirit detar çështje që është komplikuar pas rrëzimit të marrëveshjes së arritur nga qeveria Berisha në Gjykatën Kushtetuese, çështja e varrezave greke e deri tek problemet e ditëve të fundit; të gjitha do të jenë në fokus të takimit dy ditor ne Kretë.
“Ka çështje të cilat janë thjesht të njëanshme që nuk kanë nevojë shumë për një ujdi mes palëve sikundër ka çështje të cilat kërkojnë kohën e duhur për t’u zgjidhur ashtu siç duhet. Ne jemi përpjekur për të ndjekur një përqasje tematike dhe për të lidhur çështje që I konsiderojmë që janë të lidhura me njëra tjetrën, qoftë ato të shportës së luftës së dyte botërore qoftë çështjet e aktualitetit apo çështje që kanë të bëjnë me regjimin e kufijve, nuk e kam fjalën vetëm për detin por e kam fjalën edhe për kufijtë tokësorë.”
Bushati e pranon se dialogu me Athinën zyrtare ka vështirësitë e veta edhe pse prej një viti e gjysmë funksionon një mekanizëm dypalësh në nivel teknik.
“Problematika njihet, tani kemi hyrë ne një fazë edhe më delikate për hir të së vërtetës sepse është bërë një punë e mirë paraprake nga ekipet, janë studiuar disa variante, shpresoj shumë që me vullnet të mirë një pjesë e dosjes të avancojë.”
Më herët Bushati prezantoi para komisioneve parlamentare projekt buxhetin e ministrisë që drejton, mbledhje që opozita i shfrytëzoi për të ngritur problematikën e drogës dhe krimit si fenomene shqetësuese që pengojnë integrimin e vendit./Vizion/
© SYRI.net