Për ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, nëse azilkërkuesit e refuzuar fshehin identitetin do të humbasin “duldung“-un, lejen e përkohshme të toleruar. Planet janë ende duke u përgatitur. Agjencia e lajmeve, AFP dhe gazeta “Die Welt” citojnë një draft të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Berlin: “Kush e pengon dëbimin e tij vetë, për shembull, duke u dhënë të dhëna të gabuara autoriteteve për identitetin apo nënshtetësinë ose nuk bashkë-ndihmon në sigurimin e pasaportës, nuk do të marrë në të ardhmen më “duldung” –(lejen e përkohshme të toleruar të qëndrimit.) Ky i huaj do të pajiset vetëm me një leje që shënon, se ai është i detyruar të largohet nga Gjermania, raporton gazeta “Die Welt”. Synimi i këtij ashpërsimi ligjor është të ndahen azilkërkuesit e refuzuar që e pengojnë vetë dëbimin e tyre nga ata që për arsye të njohura nuk mund të dëbohen, sepse nuk kanë pasaportë, kanë arsye të forta humanitare që flasin kundër dëbimit apo në rajonin e banimit të personit nuk ka fluturime për shkak se është një rajon krize.
“Boshllëk ligjor”
Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Berlin është shprehur, se azilkërkuesit janë deri më tani i vetmi grup i të huajve në Gjermani, i cili nuk ndiqet penalisht, kur gënjen autoritetet për identitetin. Aktualisht ka vetëm gjobitje si kundravajtje. Kjo është një gjendje, që nuk duam “ta pranojmë më si të tillë”. Për të mbyllur këtë boshllëk ligjor penalizimi, në nivel ekspertësh po zhvillohen diskutime, thuhet nga Ministria e Punëve të Brendshme. Por aktualisht ky projektligj ende nuk është akorduar me sektorë të tjerë të ministrisë, prandaj është shumë herët të ofrohen të dhëna më konkrete. Po ashtu nuk dihet, nëse partitë e koalicionit do të binin në ujdi për një ligj të tillë. Ministrja socialdemokrate e Drejtësisë, Katarina Barley ka shprehur rezerva për propozimin e Seehoferit. Një zëdhënës tha, se kur projektligji të jetë gati ai do të shqyrtohet, por që tani, të dhënat e gabuara personale shihen si kundërvajtje dhe gjobiten. Organizata e të drejtave të njeriut, Pro Asyl i kritikon planet e Seehoferit. Praktika tregon, se azilkërkuesve shpesh në mënyrë arbitrare u thuhet se nuk bashkëveprojnë sa duhet. Në një kohë që ka arsye të ndryshme për dokumentet që mungojnë, shpjegon Pro Asyl. Tre të katërtat e azilkërkuesve të refuzuar që duhet të largohen janë me leje të përkohshme, sepse kanë një identitet falso apo shteti heq dorë nga dëbimi për arsye humanitare. Në Gjermani në fund të vitit 2018 ka pasur 180.124 vetë me leje të përkohshme të toleruar të qëndrimit. 40% e tyre nuk kanë dokumente, thuhet në përgjigjen që Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë i dha kërkesës së grupit parlamentar liberal, FDP./ DW