Prof. Dr. Arben Malaj: Oligarkët kanë kapur shtetin dhe po mbajnë peng demokracinë

Opinion

Oligarkët – dëmtojnë rëndë jo vetëm ekonominë, por edhe demokracinë

Debati ideologjik midis të Majtës dhe të Djathtës vazhdon lidhur me politikat e taksave të sheshta apo progresive, të ulëta apo të larta, ku duhen rritur taksat për të dal nga krizat, mbi të ardhurat, mbi punën apo kapitalin dhe ku duhet të jetë më i lartë progresiviteti i taksave mbi pasurinë apo mbi fitimet?

Diskutimet mbi pasojat negative të oligarkëve në ekonomi dhe demokraci meritojnë një debat të gjerë publik. Debati për modelin ekonomik me pak oligarkë, apo mijëra biznese të mëdha, të mesme dhe të vogla duhet të përfshijë propozime për politika publike që reduktojnë riskun e rritjes së oligarkëve dhe krijojnë një ambienti biznesi konkurrues dhe të shëndetshëm për sfidat afatgjata të rritjes së të ardhurave të disponueshme, të uljes së papunësisë dhe varfërisë.

Edhe pse rrënjët e fjalës oligark gjenden në greqishten e vjetër shqetësimi për modelin ekonomik të bazuar tek oligarkët u rrit pas rënies së Murit të Berlinit dhe në veçanti pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, aty ku edhe lindën oligarkët e parë, që me shpejtësi krijuan pasuri në miliarda dollarë, dhe eksportuan modelin e tyre edhe në vende të tjera. Oligarkët – nënkuptojnë individë të pasuruar shpejt jo për shkak të aftësive apo avantazheve të veçanta konkurruese, por nga fitimet abuzive për shkak të lidhjeve të forta me pushtetet politike.

Oligarkët – synojnë dhe marrin tregje që ua fal pushteti nëpërmjet privatizimeve, koncesioneve ose ofertave pa konkurrim nga buxheti shtetit. Ndërsa bizneset e mëdha. të mesme dhe të vogla investojnë të krijojnë tregje të reja, ose konkurrojnë në tregje konkurruese me produkte të reja, me cilësi të lartë dhe kosto të ulëta. Kjo e bën lindjen dhe rritjen e tyre një faktor thelbësor të zhvillimit të ekonomisë. Nëpërmjet ndarjes më të mirë të këtyre përfitimeve, duke rritur kohezionin dhe solidaritetin social ky biznes ushqen edhe përmirësimin e demokracisë.

Oligarkët synojnë të vënë në shërbim të tyre kryetarë bashkie, ministra, deputetë, gjykatës, prokurorë, pra ata synojnë të jenë shtet brenda shtetit, ose shtet paralel. Ndërsa biznesmenët zhvillohen në bazë të avantazheve të tyre në kapitalin human, social dhe teknologjitë e reja. Oligarkët i deformojnë tregjet në kurriz të konsumatorëve, biznesi i madh dhe i mesëm i zhvillon tregjet, duke krijuar alternativa në rritje për shumëllojshmëri nëpër zgjedhje me produkte cilësore dhe me kosto konkurruese.

Oligarkët e urrejnë konkurrencën, ata preferojnë tregje mallrash apo shërbimesh, ku kanë pozita monopoliste. Nëpërmjet kapjes së shtetit largojnë konkurrencën në tregjet e tyre dhe për këtë shkak operojnë me norma të larta fitimi. Duke mos pasur konkurrencë në tregjet e tyre ata nuk investojnë për teknologji të reja, për kushte pune më të mira, për teknologji më miqësore me ambientin dhe projekte konkrete në fushën e përgjegjësive sociale. Bizneset e mëdha, të mesme dhe të vogla rriten në tregje konkurruese, ofrojnë më shumë përfitime direkt dhe indirekte tek konsumatorët e mallrave dhe shërbimeve të tyre.

Oligarkët synojnë të ndikojnë politikat derregulluese dhe sa më përfituese për bizneset e tyre të siguruara prej tyre nga privatizime, koncesione dhe kontrata publike korruptive. Oligarkët shpenzojnë shumë për të rritur influencën publike dhe mundësisht ta kontrollojnë atë në favor të tyre, duke e bërë kështu një pjesë të politikës të vet-nënshtruar ndaj tyre. Oligarkët pas sukseseve të para bëhen të babëzitur për të fituar me të njëjtën rrugë sa më shumë pasuri dhe pushtet. Ata rriten vetëm duke kapur shtetin në nivel dhe struktura të ndryshme, duke e nënshtruar shtetin.

Ata ndikojnë kryeqendrat edhe planet e zhvillimit territorial të bashkive kryesore, përcaktojnë zonat që u pëlqejnë dhe pastaj përdorin kryetarët e korruptuar të disa bashkive që të vendosin përkohësisht kryqe të zeza, aty ku kanë interes oligarkët, por pronat i kanë qytetarët e thjeshtë dhe sapo pronësia ndryshon vendosin kryqe të kuqe mbi kryqet e zeza aty ku oligarkët arrijnë t’i blejnë lirë dhe t’i gllabërojnë këto prona. Pra, oligarkët synojnë dhe në vendet me institucione të dobëta arrijnë, që disa politikanë t’i kthejnë në shërbëtorë të tyre. Pushteti i oligarkëve rritet kur ata bëjnë politikë me bizneset e tyre dhe kur disa politikanë të korruptuar bëjnë biznes me mandat e tyre politike. Ky është dëmi më i madh që oligarkët i bëjnë vendit të tyre.

Ata dëmtojnë rëndë konkurrencën në tregjet e mallrave dhe të shërbimeve. Ata fitojnë pa meritë miliarda, të cilat në thelbin e tyre janë kosto abuzive jo vetëm financiare për konsumatorët e këtyre mallrave dhe shërbimeve. Modeli ekonomik me pak oligarkë pengon dhe nuk lejon ristrukturimin produktivë të ekonomisë sepse konkurrenca për ta është e dëmshme, u humbasin fitimet abuzive dhe u hiqet pushteti abuziv në politikë. Nën pushtetin e oligarkëve vendi mbetet ekonomikisht i prapambetur dhe demokracia funksionale bëhet jo funksionale. Qeverisja nga pak dhe qeverisjen për shumë pak, qeverisja nga ata që kanë kapur shtetin dhe janë pasuruar, duke varfëruar edhe moralisht shoqërinë dëmton rëndë edhe demokracinë. Në çdo rast ata i shtrijnë kthetrat e tyre në sektorët më kritikë të ekonomisë dhe synojnë të deformojnë informimin publik. Ata, ose e blejnë, ose e shantazhojnë, ose e dëmtojnë informimin publik.

Oligarkët dëmtojnë mirëqeverisjen e një vendi, ata duan fitime grabitqare të shpejta, të cilat nuk i arrijnë pa kapur politikën. Duke qenë se ata përzgjedhin, mbështesin, promovojnë dhe kushtëzojnë promovimin në politikë të individëve në raport proporcional me shërbimet e tyre për përfitimet abuzive, ata e dëmtojnë cilësinë e qeverisjes së vendit dhe të ardhmen e tij. Për të ndalur oligarkët dhe dëmet e tyre për ekonominë dhe demokracinë në afatshkurtër duhet luftuar kapja e shtetit që ata të pengohen të dominojnë ekonominë e politikë. Në afatmesëm dhe afatgjatë risku i tyre zhduket, duke forcuar shtetin ligjorë. Jo rastësisht oligarkët lulëzojnë në vendet me institucione të dobëta.

E ardhmja e ekonomisë shqiptare nuk duhet të dominohet nga bizneset e oligarkëve, por nga mijëra biznese të mëdha, të mesme dhe të vogla që nxisin konkurrencën, rritin produktivitetin dhe fleksibilitetin e ekonomisë tonë, prodhojnë më shumë mirëqenie, e ndajnë më mirë të mirëqenien, ushqejnë shëndetshëm kohezionin dhe solidaritetin social dhe e bëjnë demokracinë me pjesëmarrje një të mirë publike për të gjithë shqiptarët./telegraf