Shqipëria U-21, Bushi: “Duke dhënë maksimumin do të jemi të frikshëm për çdo kundërshtar”

Aktualitet Sporti

Trajneri i 21 vjeçarëve të Shqipërisë, Alban Bushi, ka shpallur ditën e sotme listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet që Kombëtarja U-21 do të luajë për kualifikueset e Kampionatit Europian 2021, ndaj Turqisë dhe Andorrës.

Në konferencën për shtyp të zhvilluar në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit trajneri Bushi foli për përgatitjet që do të zhvillojë skuadra e tij në këtë start eliminatoresh si edhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me grupin e lojtarëve të grumbulluar dhe objektivat që ka Shqipëria në këto eliminatore.

“Ky është fillimi i edicionit, është e vërtetë që kemi dy mungesa të rëndësishme por nuk dua të ndalem ke këto mungesa, është ndeshja e parë me Turqinë dhe nuk duhet të mendojmë për ata që nuk janë. Ne kemi një grup prej 45 lojtarësh të datëlindjeve 98-99, ku nuk përjashtohet as ditëlindja 2000-2001, siç është rasti i fundit i Bullarit që është një lojtar i perspektivës dhe lojtarëve të perspektivës duhet ti japim gjithmonë një dorë që ti çojmë në ekipin Kombëtar A, por patjetër që si Ademi dhe Kolaj janë dy mungesa të rëndësishme për ekipin. Më vjen shumë keq që nuk janë por kam besim që edhe lojtarët e tjerë do të bëjnë maksimumin. Ne duhet të mendojmë vetëm për Turqinë në këtë grumbullim të parë, sepse kemi përballë një skuadër shumë të fortë përballë, një skuadër që ka cilësi dhe prej vitesh investojnë shumë tek moshat. Jam shumë i informuar për gjëndjen e kundërshtarëve, sepse 3-4 trajnerë të moshave kanë luajtur me mua siç është edhe rasti i trajnerit të U-21. Janë cilësorë, lojtarët janë emra të rëndësishëm me shumë minuta në këmbë dhe duhet ta pranoj se janë favoritë për këtë ndeshje.

Ne jemi ekip që jemi ribërë me këto prurje të fundit, me 60-70% të ekipit që kanë qënë në edicionin e kaluar, por mendoj se do të bëjmë më të mirën kundër Turqisë. Të bëjmë një paraqitje të mirë, të japim maksimumin dhe në fund të fundit rezultati nuk është shumë i rëndësishëm. Nëse ne luajmë mirë dhe japim maksimumin do jem shumë i kënaqur, nëse ne nuk luajmë mirë dhe nuk japim maksimumin atëherë do të jetë problem edhe rezultati.

Grupi që kam në dispozicion është i mirë por duhet të kenë edhe minuta. Kur kemi folur vjet kishim dy lojtarë si Shaqir Tafa dhe Leonardo Maloku që luanin në Itali në Seria C, kishin minuta në këmbë, ata tani kthehen pa minuta në këmbë, por kjo nuk është e rëndësishme, e rëndësishme është që ne kemi një grup të mirë dhe jemi përforcuar shumë me lojtarët e rinj që na kanë ardhur si Bullari dhe Vrioni që do të mbaj peshën e sulmit tonë dhe do të bëj diferencën për ekipin tonë. Unë shpresoj dhe uroj që ata të mos kenë dëmtime gjatë të gjithë sezonit edhe se e fillojmë që në ndeshjen e parë me dy dëmtime shumë të rëndësishme. Të drejtosh ekipin Kombëtar është një privilegj shumë i madh dhe një përgjegjësi e madhe, por si trajner është edhe një problem sepse ti pret 2-3 muaj për një ndeshje, i mendon disa lojtarë për ti aktivizuar dhe në fund të vriten 2-3 lojtarë.

Objektivat?

Përtej këtyre dëmtimeve, ne kemi grup të mirë, do të luajmë bukur dhe mund të jemi supriza e grupit, por pa harruar që kemi kundërshtar shumë të fortë që nisen si favorit. Ne jemi një ekip i vogël që duhet të lejmë Andorrën dhe Kosovën mbrapa, pastaj cdo hap do të jetë pozitiv. Në edicionin e kaluar ne duhet të ishim në vendin e dytë me lojrat që kemi bërë, i kam riparë të gjithë ndeshjet tona dhe ato të kundërshtarëve. Nuk ishte Irlanda e Veriut ekip më i mirë sesa ne që doli në vendin e dytë, por kishte më shumë eksperiencë dhe alternativa se ne dhe nuk gabonte në minutat e fundit. Si lojë i kemi dominuar. Nisur nga kjo prandaj them që duhet të jemi me këmbë në tokë, të luajmë mirë siç luajtëm në edicionin e kaluar dhe mbase kemi fatin me vete për të mos u dënuar në minutat e fundit mund të bëjmë gjëra të rëndësishme. Kemi lojtarë shumë të rinj dhe nëse i karikojmë çdo moment për rezultat nuk mendoj se është mirë, ata rezultatin do ta marrin në ekipin Kombëtar A, këtu të forcohen, të marrin eksperiencë, të mësojnë të luajnë me idetë tona që kur të jenë në ekipin A të jenë gati. Rezultati është diçka tjetër, rritja e lojtarëve është diçka tjetër. Ne jemi këtu për ti formuar lojtarët dhe për ti ngjitur një shkallë më lart, për rezultatin është mëkat të mos e marrim kur bëjmë një punë të mirë.

Kush është reparti që të bind më shumë në këtë grup?

Mbrojtjen do ta kemi shumë të fortë mendoj, kemi marrë lojtarë shumë të mirë si Bajramaj që luan për U-23 e Birmingamit, është qendërmbrojtës shumë i mirë. Mendoj se do të jetë premtues edhe për ekipin Kombëtar A. Por edhe në mesfushë dhe sulm kemi lojtarë me goxha eksperiencë siç janë lojtarët e Partizanit, Mala e Hebaj. Nga mesi e lart kemi cilësi, por mbrojtja duhet të jetë shumë e fortë, dhe duke mos pasur dëmtime çdo gjë do të jetë në rregull me këtë grup.

Sa lojtarët nga ky grup mund të arrijnë në Kombëtare?

Të gjithë ekipet e moshave duhet të mendojë për ekipin A, vjet kanë ikur shumë lojtarë në Kombëtare në mes të sezonit eliminator si Abazaj, Ndoj dhe Rramadani. Në këtë listë unë mendoj se janë 3-4 lojtarë që shumë shpejt do të bëjnë hapin e madh përpara. Kam edhe lojtarë të tjerë në plane, që në ndeshjet e qershorit me Turqinë dhe miqësore me Uellsin do të grumbullohen. Lojtarë nga kampionati shqiptar që i ndjek, nëse do të vazhdojnë në këtë ritëm, si Çokaj, Xhixha, Berisha, Bardhi, Rrapaj, Pëllumbin të cilën janë për tu parë dhe kur të vi qershori do të grumbullohen dhe provohen nëse do të luajnë me vazhdimësi do të jenë në ekipin kombëtar. Minutat janë shumë të rëndësishme për një futbollist, sepse duke fituar minuta ti fiton edhe personalitet, autoritet. Fanella e ekipit kombëtar është diçka ndryshe, ku ti mund të jesh edhe një vit pa luajtur dhe ti e ndjen atë fanellë ti nuk e ke problem nëse nuk i ke ato minuta në këmbë sepse eksperienca ka treguar që me ekipin kombëtar lojtari jep gjithçka pavarsisht nëse ka apo jo minuta në këmbë. Unë këtë dua nga këto lojtarë, të mos mendojnë minutat, në momentin që veshin fanellën e ekipit kombëtar këta duhet të japin maksimumin në fushë. Nëse ne japim më shumë se maksimumi në fushën e lojës do të jemi të frikshëm për çdo kundërshtar që kemi në grup”.

Kuqezinjtë 21 vjeçarë do të luajë më datë 23 Mars, në orën 19:00 kundër Kombëtares U-21 të Turqisë në Elbasan Arena. Në ndeshjet e dytë eliminatore, skuadra nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi do të luajë në transfertën e Andorrës me datë 26 Mars, në orën 19:00. Shqipëria ndodhet në Grupin 3 sëbashku me Anglinë, Austrinë, Turqinë, Kosovën dhe Andorrën.