Bushati: Kriza politike po ëenon besueshmërinë, duhet të bashkohemi për të mos lejuar individë të caktuar që të na vrasin të ardhmen

Politika

Ish-ministri i punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ka komentuar Ditën Ndërkombëtare të Paqes, duke cituar fjalët e Papa Françeskut, ndërsa nuk harron të ndalet edhe tek situata politike aktuale e Shqipërisë.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, deputeti i Partisë Socialiste ka lëshuar mesazhe të koduara për politikën, teksa thekson se kriza e vlerave e shoqëruar me veset e jetës politike kanë gërryer jo vetëm besueshmërinë dhe autoritetin moral të jetës publike, por njëherësh kanë vënë në pikëpyetje edhe paqen sociale.

Në këtë kontekst, Bushati bën thirrje për solidariteti dhe paqe, në mënyrë që të mos lejohet që individë të caktuar të vrasin të ardhmen e Shqipërisë. “Pesë vite më parë Papa Françesku zgjodhi Shqipërinë, si vendin e parë në Evropë për ta vizituar.

Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, Ati i Shenjtë do të bekonte vendin tonë me fjalët “Paqe në këtë shtëpi”. Që prej asaj dite, shtëpia jonë e përbashkët ka njohur progres shoqëror, por ende të pamjaftueshëm për të konsoliduar besimin dhe shpresën e të rinjve tek e ardhmja. Besimi tek e ardhmja është një element i rëndësishëm për një popull të ri, sepse siç do të theksonte Ati i Shenjtë gjatë asaj vizite: “Ku ka rini ka shpresë”. Kriza e vlerave shoqëruar me veset e jetës politike gërryejnë jo vetëm besueshmërinë dhe autoritetin moral të jetës publike, por vënë në pikëpyetje paqen sociale dhe rrugën për ndërtimin e një të ardhme të denjë dhe të drejtë. Ndaj, sot më shumë se asnjëherë kemi nevojë për “artizanë të paqes”, që shpresa të mos vritet dhe e ardhmja të jetë e sigurt”, deklaroi ai.

Ndërkohë, pak ditë më parë gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, Bushati e ka krahasuar sundimin e Edi Ramës në Shqipëri me regjimin e Sllobodan Millosheviçit në ish-Jugosllavi. Disa ditë më parë, Bushati akuzoi Ramën si përgjegjës për rikthimin e kriminelëve në Partinë Socialiste dhe poste publike, duke iu referuar Valdrin Pjetrit dhe Tom Doshit në Shkodër. Bushati i kërkoi Ramës të mbante përgjegjësi për kriminalizimin e PS dhe të shtetit, akuzë kjo që solli shpërthimin e Ramës. Por, tashmë Bushati ka përshkallëzuar akuzat, ku në mënyrë të tërthortë e ka krahasuar Edi Ramën me Millosheviçin, i cili u bombardua nga NATO si dhe u gjykua në Hagë.