TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka bërë një panoramë të tërmetit që goditi sot vendin. Në një prononcim për ATA, Llambro Duni, sizmiolog i IGJEUM thotë se tërmeti kishte një magnitudë 6.3 ballë, por sa i përket ndjeshmërisë vlerësohet 8-9 ballë.
“Tërmeti, sipas të dhënave të IGJEUM ishte me magnitudë 6.3 Rihter dhe me intensitet 8-9 ballë. Kjo goditje është pasuar me të tjera më e madhja e të cilave ishte 5.5 Rihter”, – shprehet Duni.
IGJEUM këshillon qytetarët të mos kthehen në banesa pa u kryer më parë inspektimi nga ekspertët e ndërtimit, pasi pasgoditjet e tërmetit mund të vijojnë.
“Duke qenë së goditjet do vijojnë për një periudhë kohe është e këshillueshme që njerëzit të mos futen në ndërtesa përpara se të kryhet inspektimi nga ekspertët e ndërtimit”, deklaron për ATA sizmologu.
Nga ana tjetër eksperti i Institutit të Gjeoshkencave shprehet se nuk ka vend për panik pasi goditja kryesore ka kaluar.
“Mendojmë që goditja kryesore ka kaluar. Do ketë më të vogla, por e keqja më e madhe ka kaluar”, – pohoi Duni.
Ai shprehet se ende nuk ka një bilanc të dëmeve të cilat do të kryhen në një moment të dytë. “Tërmetet e kësaj madhësie karakterizohen nga goditje të fuqishme të tokës, por një bilanc më i saktë do të bëhet më vonë”, – thotë ai.
Epiqendra e tërmetit ishte në afërsi të qytetit të Durrësit, në thellësi të Adriatikut, 32 kilometra nga Tirana. “Fakti që goditja kryesore ishte në det ka ndihmuar që forca goditëse në tokë të mos ishte kaq e madhe”, – shprehet Llambro Duni, sizmolog i IGJEUM.