Olsian Çela zgjidhet me 101 vota kryeprokurori i ri, ndërsa dy kandidatet e tjera, Arta Marku dhe Fatjona Memçaj morën gjithsej 19 vota në favor të tyre. Në momentin e votimit Çela nuk ka qënë i pranishëm, por u paraqit në foltore për të bërë betimin. Të parët që reaguan për zgjidhjen e tij ishin ndërkombëtarët. Ata theksuan se prioritet është Reforma në Drejtësi.
TIRANË– Olsian Çela ështe kryeprokurori i ri i vendit. Kuvendi i Shqipërisë gjatë punimeve të sotme e ka zgjedhur sot me 101 vota pro, 2 kundër dhe 10 abstenim. Për 7 vitet e ardhshme, Olsian Çela do të zëvendësojë në detyrë, kryeprokuroren e Përkohshme të Përgjithshme, Arta Markun, e cila kandidonte për një mandat të dytë.
Pas diskutimeve në foltore për tragjedinë e 26 nëntorit, ku nga tërmeti 7 ballësh që goditi vendin humbën jetën 51 persona, të zgjedhurit e popullit votuan drejtuesin e ri të Prokurorisë.
Pas votimit të tre kandidatëve nag deputetët, ishte kryeparlamentari Gramoz Ruçi, ai që lexoi formulën e betimit. Çela nuk ishte i pranishëm gjatë votimit në Kuvend, por ka mbërritur disa çaste më pas për t’u betuar si kryeprokuror i ri.
“Betohem solemndisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’ i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale,“-lexoi Ruçi, ndërsa Çela nga foltorja u përgjigj: Betohem!
Olsian Çela: 101 vota pro, 2 kundër, 10 abstenim
Arta Marku: 11 vota pro, 22 kundër, 78 abstenim
Fatjona Memçaj: 8 vota pro, 16 kundër, 87 abstenim
Kandidati për kryeprokuror, tashmë i voptuar nga Kuvendi, Olsian Çela u rendit i pari në listën e KLP-së duke lënë pas dy “kundërshtaret” Arta Markun dhe Fatjona Memçajn.
Vendimi për zgjedhjen e Çelës si kryeprokuror të ri u mor sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.
Po kush është Olsian Çela?
Olsian Çela e nisi karrierën në vitin 2001, pas diplomimit në shkollën e Magjistraturës. Ai konsiderohet si ‘prokurori i dosjeve të forta’. Gjatë punës së tij, prokurori Çela ka hetuar disa dosjet e bujshme, siç është Xibraka, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa. Më herët, ai hetoi për masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.