Doc.Fane Tarifa /
Ndodhemi vërtet në një situatë tepër të vështirë e kritike për jetën e njerëzve si nga ana shëndetësore ashtu edhe ajo ekonomike .
Vërtet që në situata të tilla duhet mëndje e kthjellët, duhet durim, gjakftohtësi, duhet maturi,ekulibër, për t’u dalë përballë vështirësive, për të mundësuar zvogëlimin sa më të madh të dëmëve. Sigurisht që të arsyetosh me gjakftohtesi në këto situata është e vështirë. Eshtë e vështire se po humbim jete të çmuara njerëzore. Po ashtu është e vështirë se kushtet e jashtëzakonshme kanë frenuar proçeset ekonomike dhe kanë krijuar vështirësi në përballimin e jetesës.
Që të kesh edhe një oponence për të penguar gabimet, për të ndaluar veprimet e pamatura, për t’u prerë rrugën mashtruesve dhe atyre që synojnë të përfitojnë nga situatat e trubullta, është patjetër një gje sa e mirë aq dhe e domosdoshme.
Unë e mirëprita dhe e mirëkuptova atë vrejtje llogjike të opozitës për anullimin e tenderave në këtë situate, por nuk arrij ta kuptoj se, në rast se burimi i produkteve kryesore ushqimore është importi, me cilën rrugë do merren ato?
A është absolute mohimi i tenderave, apo për disa produkte ushqimore që janë vitale për popullsinë, ato duhen toleruar duke vene kritere më të qarta e kufizuese ndaj tyre?
-Mohimi absolut mendoj se është i njëanshem, jo i argumentuar dhe nuk i shërben situates në të cilën ndodhemi. Vërehet gjithashtu se për çdo nismë që ndërmerr qeveria, apo akt normativ të saj në kushtet e emergjencës, menjëherë rendet vetëm të shihet me sytë e negativitetit. Edhe në rast se nga opinioni i huaj vlerësohen këto masa, menjëherë nxitohet nga krahu opozitar dhe veçanërisht nga disa media, me anën e analistëve, gazetarëve e opinionistëve të tyre ta anashkalojnë këtë vlerësim, sikur nuk ju bëhet qejfi…
Pse?
Dhe perseri pse ?
Kjo se syte e tyre dhe logjika janë orientuar të shohin vetëm e vetëm të zezën, vetëm të metat dhe, edhe nëse ka gjera për të cilat duhet të krenohemi si komb, ata dinë të heshtin, sepse nuk i kanë bërë ata. Se vetëm ata janë të pagabueshmit, pakorigjueshmit dhe të padiskutueshmit.Të vetmit të ndershëm, të zotë, të aftë, të drejtë. Shoh me keqardhje se rendet të shihen se ku janë të metat, ku nuk pëlqehet diçka, ku mund të gjëndet ndonje e çarë, vetëm për ta përbaltur gjithçka që bëhet dhe asnjëherë nuk shihen anët e mira të strukturave shtetërore e veçanërisht të atyre shëndetësore.
S’ka mirënjohje më të madhe se sa për stafin mjekësor që sakrifikon gjithçka për të mbrojtur e shpëtuar jetë njerezore! Po ashtu na duhet t’ju jemi mirënjohës gjithë atyre që ndihmojnë e kontribuojnë në jetesën e qytetarëve, qofshin firma, shoqata, individe etj.
Mirënjohja jonë duhet të jetë edhe për forcat e rendit që janë gjithë kohën në roje për të ruajtur rendin, qetësinë e për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve.
Mirenjohje për ata që vazhdojnë punën në sektorë me rëndësi jetike për njerezit. Populli ynë ka një shprehje kuptimplotë që unë mendoj se opozita dhe disa masmedia duhet ta marrin në konsideratë e cila thotë:
Gjella me kripë e kripa me karar !
Pra të nderuar zoterinj. Bëni mirë që kritikoni kudo që shihni mangësi. Bukur për ju. Por kjo nuk justifikon faktin që nisur nga fryma kritike të përbaltet gjithçka, të nxihet çdo gjë, të mos pranohet asnjë nismë apo vendim qeveritar.
Unë e vleresova dhe si unë edhe shumë të tjerë deklaratën e z. Basha pas anullimit të tenderave, i cili e vlerësoi këtë masë. Kjo është shenjë qytetarie dhe pjekurie logjike.
Por, sapo dëgjoj që menjëherë e më shumë mllef, del një deklaratë tjetër që mallkon dhe hedh poshtë me shumë kritike aktin normativ të qeverise, për shtyrjen e pagesave të qirave. Me sa dëgjova në intervistën e kryeministrit qeraja nuk fshihej, por shtyhej pagesa e saj për dy muaj nisur nga rrethanat e pandemisë.
Do t’ju thoshja :
Mos u nxitoni zoterinj !
Lexojeni me kujdes aktin normativ dhe pastaj bëni vrejtjet tuaja, apo jepni edhe sugjerimet që shihni të arsyeshme. Eshtë e vërtetë që në situata të ndera ka njerëz mediokër, njerëz ç’mirezinj, bisha me fytyrë njeriu, që mendojnë se u erdhi koha të përfitojnë të pasurohen në kurriz te popullit.
Që të zbulohen këto vemje, pjella bastarde të kombit, këta gjakpirës, është gjë shumë mirë dhe në drejtim të luftës ndaj këtyre duhet drejtuar vëmëndja e gjithë strukturave shtetërore si dhe ajo e opinionit publik. Diskutoni të nderuar zoterinj , jepni edhe mendimet tuaja për zgjidhje sa më oportune në favor të masave qytetare, por jo gjithnjë me sarkazmë e urrejtje.
Jeta shoqerore ka në themel të saj logjiken ekonomike .
Në kushtet e jashtëzakonëshme kjo logjike nuk mund të gjeje te njejtin zbatim si ne kushtet normale. Pra referojuni gjëndjes se jashtezakoneshme para se të ndërmerrni hapat tuaja për vlerësimin e situatave e masave të marra për ‘to.
Zoterinj opozitare ! Ju kritizere pa kufij!
Ruani kufijtë e masës! Mos përbaltni gjithçka !
Mos paragjykoni çdo vendim e masë si diçka vetëm negative.
Mundohuni se mbase gjeni edhe elemente pozitive që mund t’ju ngrejnë edhe juve shpirtërisht.