Ukraina është duke i rezistuar pushtimit nga Rusia dhe thirrjes së presidentit Zelensky për mbështetjen me armë, një pjesë e mirë e vendeve evropiane i është përgjigjur pozitivisht.
Gjermania ka qenë e para që nëpërmjet kancelarit Olaf Scholz i ka hapur rrugë furnizimit me mijëra armë antitank dhe 500 raketa tokë-ajër “Stinder”. Për Scholz ky agresion është ‘ndryshimi epokal’ që po pëson Europa.
Qëndrimi i Gjermanisë mori një devijim rrënjësor të shtunën, pas takimit që kancelari gjerman pati me kryeministrin polak, Moraviecki dhe presidentin e Lituanisë Nauseda. Shtysë ka qenë pikërisht kryeministri polak, që më herët i kishte quajtur gjermanët egoistë dhe se ishin bërë një barcaletë për Europën, kur një javë më parë i dhuruan 5 mijë helmeta Ukrainës. Ndaj dhe objektivi i takimit të kërkuar nga Polonia ishte për t’i dhënë një shkundje Berlinit.
Edhe Belgjika i është bashkuar ndihmës për Ukrainën. 3800 tonë karburant dhe mbi 2 mijë mitralozë pritet t’i dorëzohen ushtrisë ukrainase.
Nga ana tjetër Italia do të mbështesë me avionë “Eurifighter” edhe me materiale për mbrojtjen civile, si jelekë antiplumb dhe detektorë municionesh. Ndërkohë që kryeministri Draghi ka konfirmuar gatishmërinë e 1400 burrave dhe grave të ushtrisë dhe të marinës dhe aeronautikës, si edhe 2000 ushtarëve rezervistë.
E njëjta mbështetje pritet të jepet edhe nga Franca, nëpërmjet presidentit Macron që është shprehur se “kjo luftë do të zgjasë shumë”. Sot ndërkohë pritet edhe një mbledhje e ministrave të jashtëm të BE, për të analizuar situatën dhe për të lehtësuar rrugën e dhënies së ndihmës ndaj Ukrainës.
Qeveria amerikane, ndërkohë nëpërmjet sekretarit Bliken ka konfirmuar disbursimin e 350 milionë dollarëve të tjerë ndihmë ushtarake.