Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kujtuar 31 vjetorin e eksodit të 8 gushtit të vitit 1991 ku mbi 20 mijë shqiptarë në bordin e anijes “Vlora” u larguan drejt Italisë për një jetë më të mirë.
Meta tha se drama e shpopullimit të vendit vijonte edhe sot, duke theksuar se 40% e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë “La Manshin”, janë shqiptarë. Kryetari i partisë së Lirisë tha se për t’i dhënë fund kësaj drame duhej ndëshkuar kapja e shtetit dhe modeli korruptiv që ka varfëruar shqiptarët.
Postimi i Plotë i Metës:
Pas 31 viteve nga këto pamje tronditëse dhe emocionuese të 8 gushtit 1991, kur rreth 20 mijë shqiptarë në bordin e anijes “Vlora” nisën udhëtimin drejt lirisë, për një jetë të re dhe një të ardhme më të mirë, eksodi i shqiptarëve vijon dhimbshëm.
Edhe sot, 40 përqind e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë La Manshin, duke rrezikuar jetën e tyre, janë shqiptarë.
Që drama e madhe e shpopullimit të marrë fund dhe shqiptarët të ankorojnë shpresën në Atdheun e tyre, duhet ndëshkuar kapja e shtetit, modeli korruptiv dhe kriminal që lë në varfëri shumicën e qytetarëve, për të pasuruar një pakicë.
Europa do ndërtohet në Shqipëri kur sovrani të marrë në dorë fatet e veta!
REFERENDUMI, kryefjala e angazhimit madhor të Partisë së Lirisë.