Rama: Më 18 qershor do ti zbrapsim një herë mirë, demokratët të mo ndjekin Saliun kukull

659

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një deklaratë të fortë, duke theksuar se më 18 qershor do ti zbrapsin të gjithë ata njerëz që janë kundër reformës në drejtësi. Nga Selenica kreu i PS-së ka vijuar fushatën elektorale, duke folur dhe për refuzimin e demokratëve për votimin e reformës në drejtësi. Ai njëkohësisht ftoi demokratët të bashkohen më 18 qershor pasi PD i ka braktisur dhe është mbyllur në çadrën e turpit. “Janë braktisur nga PD.

Me krahë hapur janë të mirëseardhur të na bashkohen më 18 qershor. Demokratët duhet të na bashkohen me ne më 18 qershor sepse e ardhmja e fëmijëve të tyre është shumë me e lumtur se ardhmja e Saliut. Kush e do flamurin kuq e zi duhet të votojë më 18 qershor. Demokratët të lënë Saliun kukull të mbyllur në bunker e të bashkohen me të gjithë socialistët për Shqipërinë që duam me shtet e punë e mirëqënie”, tha Rama. Ndërsa akuzoi opozitën se janë bërë barrikadë për reformat. “Treguam se vendosmëria jonë është ajo cka i duhet Shqipërisë për të hapur një faqe të re në historinë e saj.

Ndërkohë ata që janë ngujuar në bunkerin prej plastmasi për turpin e tyre nga frika e drejtësisë, është vërtetë dëshpëruese të shohësh një parti që lindi nga shpresa e madhe për Shqipërinë si gjithë Evropa të pushtojë bulevardin e të ngujohet aty për ti ndërprerë rrugën aspiratës së popullit për drejtësi, qytetarëve të zakonshëm për të gjetur drejtësi, të ardhmes duke u bërë barrikadë për të mos lejuar çlirimin përfundimtar të vendit nga diktatura e korrupsionit në drejtësi”- tha Rama. Ai kishte një mesazh të fortë për opozitën. “Duhet të provojnë që vendimet e tyre kanë qenë në përputhje me ligjin e në rast të kundërt do duhet të përgjigjen për shkelje të Kushtetutës, për grabitjet e pronës, për shkeljet pa kriter e pa karar, i ka mbledhur bashkë në bunkerin e turpit ata që drejtojnë PD dhe ata që vazhdojnë të qëndrojnë në krye të sistemit të drejtësisë, janë të lidhur si mishi me thoin, por të jeni të bindur se në 18 qershor ne do ti zbrapsim një herë e përgjithmonë, të jeni të bindur se bllokimi i Vetting-ut për të çliruar drejtësinë do mbarojë në 18 qershor, Parlamenti i ri do votojë zhbllokimin brenda këtij viti. Ata që e kanë marrë peng le të shkojnë përpara drejtësisë së re, për mëkatet e krimet që kanë bërë”, tha Rama. /Shekulli/