Numër i lartë i shqiptarëve që largohen, Rama për median franceze: Kudo ku emigrojnë shkëlqejnë!

Aktualitet

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median franceze “Francesoir” ku ka folur mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së dhe përparimet e bëra që prej shkëputjes së vendit nga komunizmi.

I pyetur mbi masën e përshtatjes së shqiptarëve në vlerat europiane, Rama tha se kudo ku shtetasit shqiptarë kanë emigruar, kishin shkëlqyer duke pasur sukses, ndërsa theksoi se këtu situata ishte më e vështirë për krijimin e një komuniteti vlerash.

Më konkretisht, çfarë do të ndryshojë në përditshmërinë e Shqiptarëve? A do të ndryshoni monedhën?

Këto janë çështje në diskutim, por ajo çfarë ndryshon që tani, është mënyra e të punuarit, të të imagjinuarit e ndërtuarit të ardhmen. Bëhet fjalë për ndërtimin e një shteti që nuk e kemi patur kurrë më parë. Deri më tani, nuk e kemi njohur shtetin e ligjit, shtetin e bërë enkas për qytetarin, ku gjykatësi është gjykatës, dhe pushteti është i ndarë si duhet. Ky është një ndryshim.

Për më tepër, Shqipëria ka qenë vendi më i izoluar nga vendet komuniste. Ne nuk kishim marrëdhënie e shkëmbime madje as me vendet e Lindjes që i përkisnin dikur bllokut komunist.

Ne, ishim Korea e Veriut e Europës. Ky është një ndryshim thelbësor shumë i thellë.

A do e ndjekin Shqiptarët këtë ndryshim?

Shqiptarët janë fantastikë kur bëhet fjalë për përshtatje. Në të gjitha vendet ku Shqiptarët kanë emigruar, ata kanë shkëlqyer, cilado qoftë puna që kanë bërë. Jashtë shtetit, ata luftojnë e gjithmonë ia dalin. Këtu, mund të jetë më e vështirë, sepse bëhet fjalë për krijimin e një komuniteti pune e vlerash, sepse është edhe çështje traditash, kulture dhe historie. Por do ia dalim!