Gjithsej 123 raste të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor, në Greqi, janë diagnostikuar nga fillimi i sezonit 2022, deri më 30 gusht, sipas raportit javor epidemiologjik nga Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik (EODY).
Sipas EODY, gjatë javës së kaluar, nga raporti i mëparshëm javor e deri më sot, janë diagnostikuar/raportuar 36 raste të reja. Janë regjistruar 11 vdekje në pacientë të infektuar me virusin, të moshës mbi 77 vjeç.
Raste të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor janë regjistruar në vendbanime në Njësinë Metropolitane të Selanikut dhe në Njësitë Rajonale të Imathia, Kilkis, Pella, Pieria, Halkidiki, Serres, Trikala dhe Larissa.
Vlen të theksohet se sipas rezultateve të një studimi seroepidemiologjik të kryer në vitin 2010, për çdo rast infeksioni me virusin e Nilit Perëndimor me përfshirje të SNQ, janë afërsisht 140 persona të infektuar me virusin (me simptoma të lehta ose asimptomatike).
Mbikëqyrja epidemiologjike e sëmundjes, zbatimi në kohë i programeve të duhura të integruara të kontrollit të mushkonjave dhe miratimi i masave mbrojtëse personale ndaj mushkonjave janë masat më të përshtatshme për kontrollin e sëmundjes, thekson EODY.