Në 531 qendra votimi nuk funksionon identifikimi elektronik. Kështu deklaroi kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi duke informuar mbi situatën e deritanishme të procesit zgjedhor.
Sipas tij janë 4469 qendra votimi plotësisht funksionale, ndërsa në të tjera është udhëzuar që identifikimi të kryhet në mënyrë manuale.
“Janë 4469 qendra votimi plotësisht funksionale, procesi i identifikimit po bëhet përmes pajisjes elektronike janë 206 QV që sipas informacionit në kohë reale na tregojnë që këto 205 QV pajisja është e konfiguruar por nuk mund të marrim automatikisht ën kohë reale informacion prej tyre.
Janë 531 qendra votimi për të cilat ne nuk kemi informacion, që do të thotë ose të gjithë këto qendra votimi PEI nuk funksionon ose funksionon pjesërisht por ne këto të dhëna nuk i kemi. Jemi duke komunikuar me operatorët e qendrës së votimit. Procesi po zhvillohet nëpërmjet PEI- ose manualisht.
Janë 531 qendra votimi ku identifikimi nuk po bëhet përmes pajisjes së identifikimit. Jemi përpjekur të korrigjojmë në kohë dhe me resurset njerëzore që kemi pasur për të ndryshuar situatën.
Edhe kodi zgjedhor dhe aktet rregullatorë kanë parashikuar situatat të tilla veçanërisht kur implementohet një pajisje elektronike dhe është parashikuar që do të duhet të pritet njëfarë kohe me mundësinë që kjo situatë të rregullohet. Kemi njoftuar që identifikimi elektronik të bëhet në mënyrë manuale se nuk kishim mundësinë të prisnim më shumë”, tha Celibashi.
Për Celibashin është ende herët për arsyet e këtyre problematikave, por sipas tij një pjesë lidhet me mosparaqitjen e operatorëve në qendrën e votimi apo mungesën e njohurive.
“Në lidhje me natyrën e problemeve është herët për të thënë arsyet. Një pjesë lidhet me mosparaqitjen e operatorëve në qendrën e votimit, mungesën e njohurive të plota të disa operatorëve”, tha Celibashi.