Europa “përzë” 12 mijë shqiptarë, të tretët për dëbime pas algjerianëve dhe marokenëve

161

Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se shqiptarët janë të tretët në botë përsa i përket urdhrave për tu larguar nga një vend i BE-së në tremujorin e dytë të vitit 2022.

“Për sa i përket shtetësisë së njerëzve të urdhëruar të largohen nga territori i një shteti anëtar të BE-së, algjerianët (8 170) përfaqësonin pjesën më të madhe të totalit (8,5%), të ndjekur nga marokenët (7 235), shqiptarët (6 640) dhe pakistanezët (6). 260). Tunizianët (5 630) vijnë pas në listë, të ndjekur nga Bangladeshi (3 990), Gjeorgjianët (3 690), turqit (3 425), indianët (3 135) dhe irakenët (2 940)”, thuhet në njoftimin e Eurostat.

Vetëm në 6 muajt e parë të vitit, sipas të dhënave të Eurostat kanë marrë urdhër për dëbim nga një vend i BE-së gati 12 mijë shqiptarë (11,905), me një rritje prej 23% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri më i lartë i urdhrave për largim për shtetasit shqiptarë ka ardhur nga Greqia, me 35% të totalit, i ndjekur nga Franca me 28.5%, Gjermania 12% dhe Suedia me 3%.
Ndërsa për gjithë vitin 2021 kanë marrë urdhra largimi rreth 22 mijë shtetas shqiptarë.

Sipas Eurostat, Në tremujorin e dytë të vitit 2022, 96 550 shtetas jo-BE u urdhëruan të largoheshin nga një Shtet Anëtar i BE-së dhe gjithsej 23 110 u kthyen në një vend tjetër (përfshirë shtetet e tjera anëtare të BE-së) pas një urdhri për t’u larguar.

Në të dyja këto raste, kjo paraqet një rritje prej 16% në shifra absolute krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, numri i shtetasve jo-BE të urdhëruar të largohen nga territori i Shteteve Anëtare të BE-së u rrit me 15% dhe numri i njerëzve të kthyer në një vend tjetër u rrit me 11%.

Ndër vendet anëtare të BE-së, Franca raportoi numrin më të madh të shtetasve jo-BE të urdhëruar të largoheshin nga territori i saj në tremujorin e dytë të 2022: 33 450 persona, që përfaqësojnë më shumë se një të tretën e totalit (35%). Franca u pasua nga Greqia (8 750), Gjermania (8 275), Italia (6 020) dhe Austria (5 385).

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, Italia ishte shteti anëtar i BE-së që regjistroi rritjen më të madhe në numrin e njerëzve të urdhëruar të largoheshin (+2 215%), duke u rritur nga 260 në tremujorin e parë të 2022 në 6020. Kroacia gjithashtu pothuajse u dyfishua në të njëjtën periudhë, nga 2 675 në 4 830.

Vala e re e emigracionit
Pasi ranë në vitin e pandemisë dhe mbetën të ulëta në vitin 2021, aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian kanë filluar të rriten sërish me rikthimin e lëvizjes pa kufizime.

Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga “Monitor” në 7 muajt e parë të vitit u regjistruan gati 5800 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë, në një nga vendet e Bashkimit Europian. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shifra është dyfishuar, duke dëshmuar për një tendencë të re të rigjallërimit të emigracionit.

Të dhënat zyrtare të Autoriteteve Britanike tregojnë se rreth 4729 shqiptarë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin e tyre dhe janë regjistruar si azilkërkues gjatë periudhës janar-qershor 2022, një shifër që është sa 80% e të gjithë kërkesave për azil në 27 shtetet e tjera të Bashkimit Europian, duke e çuar në total shifrën e aplikimeve në mbi 10 mijë.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: