Tubacion uji nga Gjirokastra në Pulia, Rama i jep “OK” Italisë për ujësjellësin 1 miliard €…

Aktualitet

Qeveria Rama i ka dhënë dritën jeshile ujësjellësit që do të lidhë Shqipërinë me Italinë.

Së shpejti do të marrë jetë ideja e vjetër italiane për të ndërtuar një ujësjellës që do të lidhte burimet ujore në Jugun e Shqipërisë me rajonin e Pulias, që është goditur nga thatësira e viteve të fundit.

Sipas “Corriere.it”, që i referohet një deklarate të presidentit të rajonit të Pulias, Michele Emiliano, qeveria shqiptare i ka dhënë dritën jeshile Italisë për projektin e ujësjellësit që do të lidhë Gjirokastrën me Galugnano, në Salento. Për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme do të duhen 4 vite punë dhe një miliardë euro. Sipas palës italiane, Shqipëria do të kishte një përfitim ekonomik, duke qenë se do të hapeshin rreth 8000 vende të reja pune direkte dhe indirekte.

“Qeveria shqiptare na ka autorizuar të fillojmë planifikimin e ujësjellësit që do të lidhë Shqipërinë me Italinë. Shqipëria hedh një sasi të madhe uji të mirë në det dhe padyshim se ka interes që t’i paguajë për të. Ne kemi interes ta marrim sepse për ne uji do të thotë t’i japim një model të ri bujqësisë, të bëjmë turizmin të rritet dhe t’u japim një të ardhme të gjithë pulianëve”, deklaroi presidenti i rajonit të Pulias, Michele Emiliano.