Unë dua një qytet, për të cilin nuk do t’i them vajzës sime: “Mos shko atje, është e rrezikshme!”

Opinion

Pyetja “Si dëshironi ta shihni Vlorën në të ardhmen?” pranon vetëm një përgjigje: “Unë dua të jem në gjendje të eci nëpër qytet me vajzën time pa frikë!”.

Të mund të eci dhe të vazhdoj t’i tregoj asaj bukuritë që meritojmë t’i mbrojmë si qytetarë, pa e tërhequr në të njëjtën kohë pranë meje kur afrohemi në vende të ashtuquajtura “të rrezikshme”, “të çuditshme”, në hapësira publike, që të ngjallin frikë.

Pa më pyetur vajza ime, me atë arrogancën por edhe besimin që kullon brezi i saj: “Çfarë ke frikë? Edhe “këtu” ka dyqane të bukura”. Do të pajtohem me të, do t’ia përsëris se ka edhe vende të bukura dhe të mrekullueshme, por frika tek unë nga e papritura ku ka bukuri, më pengon dhe na pengon t’i shijojmë ato.

Pra, qëllimi është të fitojmë një ndjenjë sigurie dhe lirie në qytetin tonë. Unë dua të kujdesem për fëmijën tim, të jetë e lirë në Vlorën tonë, d.m.th. të lëvizë ku të dojë, kur të dojë me shoqet e me shokët e saj pa pasur frikë as ajo e as unë.
Nuk mund ta mbroj nga të papriturat, por mund t’i kufizoj mundësitë, mund t’i ofroj një qytet, ku nuk do të detyrohet të shmangë zona të caktuara për sigurinë e saj.

Por dua t’i tregoj edhe një qytet të pastër, pa ndotje akustike e atmosferike, një qytet pa ndotje toksike, industriale e morale; një qytet, që rrezaton kulturë; një qytet miqësor, miqësor si nga natyra, ashtu edhe nga njerëzit.
Dua të jetojë në një qytet që të ketë punë e mundësi; sistem vlerash e meritokraci, të ketë rini, e cila ikjen nga qyteti e atdheu do ta shikojë si zgjedhje e jo si zgjidhje.

Dua t’i tregoj një qytet që dikur ka pasur tradita e histori dhe i ruan me fanatizëm ato, sepse janë ashti ynë…
Pra, Vlora, që shoh në të ardhmen është një qytet ku ime bijë do të më thotë “Do të jetoj këtu” dhe unë nuk do t’i përgjigjem: “Por Vlora është e rrezikshme dhe e pajetueshme.”

Siguria është një çështje parimore dhe pohimi i saj është një detyrë për ne dhe për fëmijët tanë, në mënyrë që më në fund të dimë se çfarë themi, çfarë presim, çfarë pranojmë, çfarë bëjmë.
Me pak fjalë, është detyra jonë që në mënyrë sistematike dhe të palodhur, në mënyrë të vendosur dhe jopartiake t’i mbrojmë dhe nxjerrim në pah lagjet që kemi besim dhe në të njëjtën kohë edhe ato, të cilave nuk u besojmë, në mënyrë që kur flasim për Vlorën të kemi një imazh pozitiv e të vërtetë.

Një Vlorë të pastër, të sigurtë, të lirë dhe të shndritshme. Ashtu siç e meritojmë, hap pas hapi.

Duke e mbyllur këtë shënim, do ta personalizoj më shumë temën time: shëtitjet e para të vajzës sime, dorë për dore, ishin në qendër të qytetit, ku filloi të dëgjonte histori, si një përrallë, për qytetin e saj, traditën dhe për zonat historike, që sot, pothuajse nuk janë më: Sheshin e Flamurit, Bashkinë, Shkollën Tregtare, Shkollën e Marinës, ish- Bibliotekën, Gjyqin e Vjetër, Fushën e Aviacionit, Skelën, Rrapin te Uji i Ftohtë, pse jo edhe Muzeun Arkeologjik, Historik e Etnografik…

Doja që ajo të njihte monumentet e Qytetit si histori dhe kujtesë.

Sot, të njëjtat pjesë të qytetit që dikur projektonin historinë dhe kujtesën tani ngjallin frikë.

Dhe, po t’i rikthehem fjalës së parë: Dua që ime bijë, ashtu si fëmijët tuaj të jetojnë në një qytet të sigurtë, që të mos jemi gjithë kohës në merak dhe t’i marrim dhjetëra herë në telefon e t’i porosisin të ecin ku ka dritë dhe njerëz…
Dhe këtë qytet, e kam për detyrë unë, e kemi për detyrë ne, që me votën e përgjegjshmërinë tonë qytetare e politike t’ua lëmë fëmijëve tanë!