Kishte fshehur pakot me euro në tavanin e autobusit, pranga shoferit në kufi

Aktualitet

Policia e Portit në Durrës ka arrestuar një 37-vjeçar, drejtues autobusi, i cili dyshohet se kishte fshehur një shumë të madhe eurosh tavanin e autobusit të linjës Bari-Durrës.

Policia ka sekuestruar 99 700 euro të cilat ishin të ndara në 8 paketime. 37-vjeçari u ndalua në flagrancë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Policia po vijon punën hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti, ndërkohë që materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

“Gjatë operacionit, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, një autobus tip “Scania” i linjës Durrës-Bari-Durrës. Gjatë kontrollit të imtësishëm në autobus, me metoda bashkëkohore, në pjesën e tavanit, janë gjetur 8 paketime me kartëmonedha në euro, gjithësej 99 700 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Rr., 37 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, njofton policia.