Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ka propozuar në këtë post Taulant Ballën.
Lajmin e ka bërë me dije Rama me anë të një postimi në twitter, teksa njofton se të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet.
“Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falenderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Punëve të Brendshme Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese nëçdo drejtim”, shkruan Rama.
Kujtojmë që ky ndryshim në qeveri vjen dy ditë pas dhunës barbare të shënuar në Fushë Krujë, ku vëllezërit e deputetit të PS Rrahman Rraja, djali i tij dhe anëtarë të tjerë të fisit Rraja kanë dhunuar barbarisht dy kushërinjtë, Jashar dhe Bilbil Maja.
Shkak i përplasjes u bë një ankesë e Bilbil dhe Jashar Majës në Policinë e Krujës, për shpërthimet me dinamit në guroren e vëllait të deputetit, nga të cilat u ishin dëmtuar shtëpitë.
Po ashtu Çuçi sot zhvilloi një takim që zgjati katër orë me drejtorin e Policisë, Muhamet Rrumbullaku, ku folën për çështjen në fjalë si dhe për atentatin e ndodhur pak ditë më parë në fshatin Larushkë të Fushë Krujës, ku nga një atentat i mirë-organizuar mbeti i vdekur shtetasi Ramazan Sino.
Viktima ishte kunati i Gentian Bejtjas, një person me precedentë penalë dhe i skeduar nga Policia e Shtetit për disa ngjarje. Të plagosur mbetën dhe dy fëmijët e mitur të Gentian Bejtjas.