ATDHEU IM !

Kulture

Poezi nga Marjeta Musaraj  /

 

Atdheu im
I lashtë sa Toka, sa Qielli
I madh sa tërë globi
Te ti ndriçoi më mirë dikur Dielli
Me gjuhën tënde pat folur dhe Homeri
Por sot të ka mbuluar terri.
Atdheu im
je vetë historia e njerëzimit
Në shtratin tënd lindi jeta
Kurse sot je mbuluar nga pabesia e harrimit
Të nomadëve të ardhur prej shpellave e kënetave…
Duke u bërë metaforë e vajtimit.
Atdhe im
Ta grinë trupin mijëra vite
Tentuan ta varrosin gjuhën zakonet e traditat
Por i coptuar e i gjakosur u ringrite e klithe
“Jo nuk kam vdekur ende nuk jam kufomë
Që të thoni na ishte njëherë një Shqipe”
Atdhe im
Me një mijë e një plagë por i gjallë ende
Me varre armiqësh trupin mbjellë
Plehrat e globit frymën po ta ndalin
Dhe eshtrat po t’i bluajnë qentë e zgjebosur
Kurse ne populli i fiseve të marrosur
Rreth varrit tënd po vallëzojmë të xhindosur…