Ku Presidenti i Republikës kërkon të bëjë vendin rrëmujë institucionale me emërimet që nuk i ka të tijat, por të atyre që e urdhërojnë. Kryetari i Kuvendit, një person të cilin i gjithë Perëndimi e quan aktualisht abuzues dhe të korruptuar, drejton Parlamentin shqiptar, të cilin ia ka dorëzuar Sali Berishës, domethënë korrupsionit.
Një Kryeministër, i cili nuk ka fare zyrë, dhe gjendet vijimisht “në terren”, sikur flet me popullin, sepse nuk qëndron dot në zyrë, ngaqë nuk ka kapacitet të lexojë shkresat. Një opozitë që nuk di fare se çfarë kërkon, sepse drejtohet nga Sali Berisha, i cili ngulmon të shpetojë veten nga abuzimet që ka kryer si kryeministër i vendit, dhe kërcënon çdo ditë me destabilizim dhe tritol më se shumti fiktiv, sa për të krijuar tension.
Ministri i Drejtësisë, një injorant, ekurkthyes i kohës së komunizmit, paraqet një pseudo reformë në drejtësi, duke dashur që : ”Këshillin e Lartë të Drejtësisë ta mbajë ky ministër dhe Ilir Meta”. Sigurisht se kanë frikë nga ndëshkimi. Si mund të mendohet që vetë korrupsioni dhe krimi të mund të bëjë reformën në drejtësi?
As fëmijët nuk e besojnë këtë, e jo më institucionet perëndimore, të cilat e kanë bllokuar tërësisht ndihmën financiare për Shqipërinë, sepse me të drejtë nuk dinë se në xhepat e kujt do të shkojnë paratë e tyre. Por shqiptarët vuajnë vjedhjen e pushtetarëve të tyre dyfish: edhe si zbrazje të të ardhurave të shtetit, edhe si mungëse ndihme nga Perëndimi.
E gjithë kjo gjëndje flet për një përçartje të madhe, së cilës nuk mund t’i dihet fare e ardhmja, sepse, në të njejtën kohë, shoqëria po zhytet në një varfëri të paimagjinuar. Leku mezi po mbahet, sepse nuk ka prurje valute nga jashtë, dhe prodhimi nuk mund të krijojë eksportin e mallrave që i duhet stabilitetit të monedhes; prandaj, shumë shpejt, leku mund të kërcejë me hop.
Si do të jetë e ardhmja e afërt e shqiptarëve, përballë gjithë kësaj inkompetence dhe gjithë këtij abuzimi të madh?
Shumë e rëndë pritet të jetë, prandaj njërëzit duhet të lëvizin. Ex nihilo nihil fit (nga hiçi asgjë s’mund të marrësh), kanë thënë latinët. Por fati kurrë nuk duhet lënë në dorë të njerëzve të papërgjegjshëm që nuk dinë të dallojnë të ardhmen e vendit të tyrë, si substancë të qeverisjes, nga pasurimi abuziv personal, si substancë e një qeverisjeje të degraduar që humbet brenda vjedhjes së saj.